Berisha: Salvator Aliu alias Edi Rama e mori tokën në Vuno me 3-4 euro! Dosja është në SPAK, por ata e mbrojnë Ramën

Kryetari i PD, Sali Berisha u ndal sërish tek tjetërsimi i pronave në jug të vendit.

Sipas liderit demokrat, Salvator Aliu e mori tokën në Vuno me një çmim prej 3-4 euro, duke shtuar se pas këtij skandali fshihet vetë Edi Rama.

Berisha shkoi më tej ku tha se dosja është në SPAK, por theksoi se Prokuroria e Posaçme vijon të mbrojë Ramën.

‘I ndjeri Artan Lame kishte vendosur kufizim mbi atë pronë, sepse një peshkaqen me lidhje me Vunoin, Rama me familjen e tij, duart e tij të zeza i ka aty’, tha Berisha.

Bashkëbisedimi:

Uran Koni: Doktor, dje bëtë denoncim për tokat e Vunoit. Një denoncim që ishte shokues për mënyrën e falsifikimit të pronave dhe përdorimit të tyre nga krimi i organizuar dhe pushteti. Dhe po dje nga protesta u bë deklarata nga një person se ju dhe familja juaj keni marrë 63 hektarë në Divjakë. Pse kjo?

Sali Berisha: Unë e dëgjova dhe u falënderoj për pyetjen. Natyrisht reagimi që u bë dje nga një person i paguar për një trillim të turpshëm, një përpjekje për të përbaltur Sali Berishën por edhe kauzën e protestës, është i turpshëm.

Fatmirësisht i dashur mik, Sali Berisha dhe fëmijët e tij janë sot të vetmit shqiptarë, të cilët janë hetuar për të gjithë veprimtarinë e tij 35-vjeçare, përfshi mbesat e mia vite para lindjes së tyre, që nuk mund të ndodhë kurrë, po këtu ndodh çdo gjë.

Dhe ata nuk kanë pasur kurrë dhe nuk kanë kurrë asnjë metër katrorë tokë publike apo private në Divjakë apo në ndonjë vend tjetër.

Nuk kanë përfituar kurrë një metër katror tokë, një qindarkë nga fonde publike dhe të gjitha janë të dokumentuara.

Kështu që kjo ishte një përpjekje për të sfumuar ato dokumente që unë paraqita ku në Vuno, toka e paraqitur si publike në hartë nga i ndjeri Artan Lame, për të cilin ai shkarkohet pesë ditë pas paraqitjes së hartës, është bërë me pronar Salvator Aliun, një qytetar supertrafikant nga Kavaja apo Elbasani.

Dhe që toka që paraqitej aty, paraqitej si ullishte kur ajo ishte në mes të pyllit me shkurre.

Dhe paraqitej si ullishte sepse ullishtat i janë ndarë fshatarëve, kurse shkurret dhe kullotat nuk janë ndarë.

Kartelat e pronës nuk kishin shitësin e pronës, certifikata jo e jo.

I ndjeri Artan Lame kishte vendosur kufizim mbi atë pronë, sepse një peshkaqen me lidhje me Vunoin, Rama me familjen e tij, duart e tij të zeza i ka aty.

Kjo është e vërteta dhe kjo dosje është një SPAK.

Po SPAK nuk e heton Edi Ramën, të harrojë kush se mund të hetojë SPAK-u Edi Ramën.

Përkundrazi, SPAK e mbron Edi Ramën sepse thotë toka u ble në vitin 2020, në një kohë kur absolutisht aty asnjë metër katror tokë nuk e gjen nën 100 euro, toka buzë detit, toka ishte blerë me 3-4 euro.

Salvator Aliu alias Edi Rama e kishte blerë apo shitur me 3-4 euro.