Berisha: Taulant Balla deklaroi se është promotori i thirrjeve ‘Berisha në burg’, gjethet s’duhet të na pengojnë të shohim trungun
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se Taulant Balla e pranoi vetë se ishte promotori i thirrjeve ‘Berisha në burg’ gjatë protestave qytetare në Tiranë.
‘...kjo është thjesht një thirrje e atyre që nuk u bënë dot opozitë për shkak të lidhjeve me qeverinë dhe bëjnë opozitën e opozitës’, theksoi lideri demokrat.
Duke iu përgjigjur interesimit të bashkëbiseduesve në rrjetet sociale, Berisha tha se nuk impresionohet nga një thirrje e tillë, duke shtuar se gjethet nuk duhet ta pengojnë PD të shohë trungun madhështor të protestës.
Bashkëbisedimi:
Adelina Dragoshi: Zoti Berisha, në protesta ka thirrje Berisha në burg, por ju keni qëndruar 333 ditë në arrest të padrejtë me urdhër të Edi Ramës për hetimet lidhur me një firmë që kanë përfituar mijëra ish-pronarë. Firma juaj ka qenë për një vendim kolegjial, ndërkohë Edi Rama ka firmën në projekte ndërtimi ku janë pastruar mbi 3 miliardë euro para drogë. Mes tyre për Hajrin apo personazhe të tjera. A keni një koment për këto që përmenda?
Sali Berisha: Unë dhashë një shpjegim, kjo është thjesht një thirrje e atyre që nuk u bënë dot opozitë për shkak të lidhjeve me qeverinë dhe bëjnë opozitën e opozitës.
Për të mos thënë tjetrën, që dy ditë më parë, Taulant Balla Yaris deklaroi se ai është promotori i kësaj thirrje.
Unë, natyrisht nuk impresionohem nga një thirrje e tillë, as nga përpjekja për të mbrojtur Edi Ramën duke përdorur emrin e Sali Berishës.
Këto janë gjëra krejtësisht të parëndësishme në raport me gjigantin, me uraganin rinor qytetar.
Dhe qëndrimi im ka qenë ndaj të gjithë demokratëve, që kurrë degëzat, gjethet nuk duhet të na pengojnë të shohim trungun madhështor të kësaj proteste.