Shqiptarët shesheve për largimin e tij, Rama me frymëmarrje të rënduar: Po më rrëzon algoritmi

Me një frymëmarrje të rënduar dhe me nervozizëm të dukshëm përballë protestave që prej javësh po mbushin sheshet e vendit, Edi Rama ka mbledhur sot deputetët e Partisë Socialiste, ku ka mbajtur një fjalim të gjatë, të mbushur me sulme ndaj protestuesve dhe kritikëve të qeverisë së tij.

Kryeministri, i cili për më shumë se një dekadë ka ndërtuar pushtetin e tij mbi propagandën, marketingun politik dhe kontrollin e narrativës publike, këtë herë duket se ka zgjedhur të fajësojë “algoritmin” për klimën e pakënaqësisë që po përhapet në vend. Në vend që të përballet me arsyet që kanë nxjerrë qytetarët në protestë, Rama preferoi t’i etiketojë ata si pjesë të një “proletariati të algoritmit”, si njerëz të manipuluar nga rrjetet sociale dhe nga zemërimi virtual.

Njeriu që për 14 vite ka përfituar maksimalisht nga ekspozimi mediatik, nga propagandimi masiv në rrjetet sociale dhe nga makineria e komunikimit qeveritar, sot shfaqet i shqetësuar pikërisht nga i njëjti instrument që dikur e ndihmoi të konsolidonte pushtetin. Ndërsa mijëra qytetarë kërkojnë largimin e tij dhe denoncojnë korrupsionin, varfërinë dhe kapjen e shtetit, Rama duket se kërkon t’i paraqesë protestat jo si një revoltë reale qytetare, por si produkt të algoritmeve dhe klikimeve në internet.

Në fjalimin e tij para grupit parlamentar socialist, kryeministri zhvilloi një teori të gjatë mbi ndikimin e rrjeteve sociale në politikë, duke e paraqitur algoritmin si armikun kryesor të demokracisë dhe duke lënë në hije përgjegjësitë e qeverisë së tij për krizën e besimit që po reflektohet çdo ditë e më shumë në rrugët dhe sheshet e vendit.

Fjala e Ramës

Ku ky ishte vetëm një mekanizëm psikologjik, në kohën tonë tanimë ne jemi përballë një industrie. Një industri që është shumë fitimprurëse. Kush mendon se me lajket dhe me followers-at e vet bën politikë, ose bën vetëm politikë, bën gabim. Me followers-at dhe me lajkset që ai mbledh, bën shërbimin e atyre oligarkëve më të mëdhenj të planetit që përmes algoritmit dhe përmes platformave pasurohen eksponencialisht çdo ditë.

Algoritmi nuk shpërblen qetësinë, e varros, sepse qetësia është armik i algoritmit. Algoritmi nuk i shpërblen nuancat, i fsheh, sepse nuancat janë kundërshtare të algoritmit. Algoritmi nuk e do arsyen dhe prandaj në të gjitha studimet e bëra, të gjitha postimet në të gjitha platformat të cilat janë të mërzitshme sepse janë të arsyeshme, kanë një shpërndarje shumë më të ngadaltë sesa ato që janë tërheqëse sepse janë skandaloze.

 Algoritmi është aty për të shpërblyer konfliktin dhe çdo qenie konfliktuale që i vihet atij në dispozicion. Ai shpërblen inatin dhe ai shpërblen edhe frikësimin e të tjerëve. Sepse frikësimi prodhon klikime. Klikimet prodhojnë kohë dhe koha prodhon para. Dhe kështu për herë të parë në histori, ekonomia e vëmendjes është bërë ekonomi politike. Sa më shumë zemërim, aq më shumë shikueshmëri. Sa më shumë shikueshmëri, aq më shumë ndikim. Sa më shumë ndikim, aq më shumë pushtet. Mbi kë? Mbi skllevërit e algoritmeve, mbi të gjithë ne.

Kjo është arsyeja pse sot protestat nuk zhvillohen vetëm në shesh, por kanë nevojë për një shesh thjesht si përfaqësim i një lukunie që proteston në algoritëm. Madje siç ndodhi këto 20 ditë, sheshi është thjesht një studio televizive e algoritmit. Është vendi ku filmohet materiali për ta ushqyer algoritmin dhe për ta justifikuar atë. Dhe pikërisht këtu fillon sfida më e madhe e demokracive të sotme. Demokracive të ndërtuara për qytetarët, jo për algoritmet.

Janë ndërtuar për njerëzit që votojnë, jo për platformat që optimizojnë zemërimin. Kjo është beteja e kohës sonë, s'ka lidhje më me të majtën dhe me të djathtën, me qeverinë dhe me opozitën, por ka lidhje me konfliktin e hapur midis politikës në shërbim të njerëzve, në shërbim të vendit, në shërbim të punës për vendin dhe algoritmit. Politikën në shërbim të njerëzve, politikën në shërbim të vendit, politikën në shërbim të punës të vendit, algoritmi e urren. Dhe unë kam frikë se edhe unë që po flas, duke qenë prej vitesh shumë i tërhequr nga zhvillimet e asaj bote, nuk e kuptoj sa e madhe është kjo betejë dhe sa monstruoze ajo mund të bëhet për fëmijët tanë. Kush shpon dhe kërkon një lajk dhe një follower me zemërim, punon kundër fëmijëve të tij.

Dashuri dhe miq, çdo epokë prodhon një figurë të sajën karakteristike. Unë nuk dua të bëj këtu asgjë përveçse të përcjell disa nga ato që kam mësuar, dhe nuk dua që askush ta marrë me të madhe çfarë po them. Por nëse shekulli i 19 prodhoi proletariatin industrial, shekulli i 20 prodhoi shoqërinë e masmedias, shekulli i 21 po prodhon proletariatin e algoritmit. Një klasë e re që nuk e bashkon puna, e bashkon vëmendja. Nuk e bashkon fabrika, e bashkon ekrani i celularit. Nuk e bashkon prodhimi, e bashkon shija e konsumimit të vetes dhe të jetës në ekran. Dhe mbi të gjitha e bashkon një iluzion shumë i madh, që sa më shumë të dukesh, aq më autoritet ke.

Unë nuk kam besuar asnjëherë që demokracia është pronë e ekspertëve, e profesorëve apo dhe e politikanëve, sepse është realisht pronë e qytetarëve. Por demokracia nuk ka thënë kurrë se çdo mendim ka të njëjtën peshë mbi çdo çështje. Ajo ka thënë se çdo qytetar ka të drejtën të flasë, por jo se çdo fjali ka të njëjtën vlerë. Sepse liria e fjalës në demokracitë funksionale nuk e ka përmbysur kurrë deri më sot ligjin e pashkruar të gravitetit të dijes.

Dhe mbi bazën e dijes së akumuluar për një çështje apo për një tjetër, vendimmarrësit kanë marrë vendime. Që nga populli deri tek të zgjedhurit e tij. Demokracia nuk e ka zëvendësuar me diçka tjetër as përvojën, as përgjegjësinë. Sot për herë të parë në histori, demokracia po përballet me njeriun që mund të mos ketë ndërtuar kurrë asnjë gjë. Që mund të mos ketë asnjë shkollë. Që mund të mos ketë asnjë kompetencë për të folur për atë që merr përsipër të flasë.

Që nuk i ka thënë kurrë kujt mirëmëngjes, punë e mbarë, dhe që nuk ka administruar kurrë asnjë zyrë me tre vetë. Dhe megjithatë, ky tip zgjohet në mëngjes me bindjen që e kupton shtetin më mirë se kushdo dhe pse mund të jetojë në një anë tjetër të globit. Pse? Sepse algoritmi i ka dhënë atij diçka që dikur fitohej vetëm me vite pune: dukjen. Vendosjen e vetes në vëmendjen e të tjerëve.