Protestat/ ‘Ambasada Shqiptare në Romë presion emigrantëve’- Bardhi: Pushteti në panik, frikë dhe nga diaspora
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar ashpër, teksa ambasada shqiptare në Romë po ushtron presion ndaj emigrantëve që të mos marrin pjes ënë protestat masive, që tanimë kanë shpëkrthyer dhe nëpër diasporën jashtë vendit.
Përmes një reagimi zyrtar, Bardhi thekson se kto ditë, nga numri zyrtar i Ambasadës së Shqipërisë në Romë janë telefonuar shoqatat kryesore të shqiptarëve në Itali, për t’u kërkuar të mos organizohen dhe të mos marrin pjesë në protestat e diasporës kundër qeverisë, me argumentin se dëmtohet imazhi i Shqipërisë.
’Diaspora shqiptare nuk mund të trajtohet si një elektorat që duhet kontrolluar apo intimiduar nga administrata shtetërore. E drejta për t’u organizuar, për të protestuar dhe për të shprehur mendimin është një e drejtë themelore demokratike që nuk mund të cenohet nga askush, aq më pak nga përfaqësues të shtetit shqiptar’, thekson Bardhi.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD kërkoi që çdo zyrtar që ka përdorur institucionet shtetërore për interesa partiake, duhet të mbajë përgjegjësi.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Edi Rama ka kaluar në një nivel të ri paniku.
Me qindra e mijëra protestues që i kërkojnë çdo ditë dorëheqjen në Tiranë dhe në kryeqytetet kryesore europiane, nuk mjaftojnë më propagandistët, administrata dhe patronazhistët. Tani ka nxjerrë në fushatë edhe selitë kryesore diplomatike të Shqipërisë.
Këto ditë, nga numri zyrtar i Ambasadës së Shqipërisë në Romë janë telefonuar shoqatat kryesore të shqiptarëve në Itali për t’u kërkuar të mos organizohen dhe të mos marrin pjesë në protestat e diasporës kundër qeverisë. Arsyeja? “Dëmtohet imazhi i Shqipërisë.”
Sa absurd, sa cinik dhe sa i pafytyrë duhet të jesh për të përdorur institucionet e shtetit kundër qytetarëve të vet dhe më pas të fshihesh pas alibisë së “imazhit të Shqipërisë”?
Ambasadat e Republikës së Shqipërisë financohen nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Nuk janë degë të Partisë Socialiste dhe as instrumente për të penguar ushtrimin e të drejtave kushtetuese të qytetarëve.
Diaspora shqiptare nuk mund të trajtohet si një elektorat që duhet kontrolluar apo intimiduar nga administrata shtetërore. E drejta për t’u organizuar, për të protestuar dhe për të shprehur mendimin është një e drejtë themelore demokratike që nuk mund të cenohet nga askush, aq më pak nga përfaqësues të shtetit shqiptar. Prandaj, çdo zyrtar që ka përdorur institucionet shtetërore për interesa partiake duhet të mbajë përgjegjësi.
Për sa i përket imazhit të Shqipërisë, ai nuk dëmtohet nga protestat rinore, qytetare, paqësore dhe demokratike. Përkundrazi. Imazhin e Shqipërisë e ka dëmtuar vetë kryeministri.
E ka dëmtuar kur ka shpallur investitorë strategjikë persona të lidhur me kartelet ndërkombëtare të drogës.
E ka dëmtuar kur ka dhënë leje për resorte dhe kazino që shërbejnë për pastrimin e parave të trafikut të drogës.
E ka dëmtuar kur në dosjet e SPAK-ut dhe materialet e referuara nga autoritetet e huaja dokumentohen takime me funksionarë të lartë shtetërorë shqiptarë në Aruba, të lidhura me projekte pasurish të paluajtshme në Shqipëri dhe me persona të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, përfshirë edhe pronarin e dyshuar të tokës për projektin në Zvërnec.
E ka dëmtuar, kur ka shndërruar korrupsionin në mekanizmin e vetëm me të cilin lëviz shteti shqiptar.
E ka dëmtuar kur, siç thotë Parlamenti Europian, mbron me votë korrupsionin e Belinda Ballukut dhe bëhet pengesë për integrimin europian të Shqipërisë.
E ka dëmtuar kur ka rikthyer modelin e partisë shtet dhe vjedhjes së zgjedhjeve. Dhe sot po e dëmton sërish, duke përdorur ambasadat shqiptare për të penguar qytetarët të ushtrojnë një të drejtë themelore demokratike: të protestojnë.
Një pushtet që ka frikë edhe nga diaspora nuk ka më asnjë autoritet moral për të qeverisur. Ka vetëm një rrugë: dorëheqjen.