‘Dështuan me kullat, shpikën Divjakën’/ Berisha: Sulm i orkestruar nga Rama, s’përgjigjet dot për hotelin Zig-Zag

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me një deklaratë të prej një prej protestuesve në protestën e 20 të së premtes.

Berisha shkruan se, deklarata se Argita Berisha dhe familja e kryeministrit Berisha më kanë marrë 63 hektarë tokë në Divjakë, ‘është një gënjeshtër e plotë dhe shpifje e turpshme’.

‘Sali Berisha dhe familja e tij është hetuar për 35 vjet nga militantët e Edi Ramës dhe në përfundim rezultoi se ata kurrë nuk kanë përfituar asnjë lekë publik, asnjë tender dhe asnjë cm2 tokë, publike e as private të tjetërkujt’, thuhet në reagimin e kreut të PD.

Kur kauzat ngjyhen me shpifjet e qeverisë

Lidhur me deklaratën e një shpifëseje të paguar dje në protestë, se ‘Argita Berisha dhe familja e kryeministrit Berisha më kanë marrë 63 hektar tokë në Divjakë’, deklaroj se: kjo është një gënjeshtër e plotë dhe shpifje e turpshme.

Argita Berisha dhe familja e ish-kryeministrit Berisha nuk kanë dhe nuk kanë patur kurrë asnjë metër katror tokë në Divjakë dhe nuk i kanë marrë kujt kurrë asnjë metër katror tokë.

Sali Berisha dhe familja e tij është hetuar për 35 vjet nga militantët e Edi Ramës dhe në përfundim rezultoi se ata kurrë nuk kanë përfituar asnjë lekë publik, asnjë tender dhe asnjë cm2 tokë, publike e as private të tjetërkujt.

Pasi dështuan me shpifjet për interesat e mia e të familjarëve të mi në kullat e Tiranës, ditën kur Edi Rama duhet të jepte përgjigje për vjedhjen e pronës publike të provuar me dokumentat e rastit të hotelit Zig-Zag, duke qenë që përgjigje nuk jepte dot zgjodhi shpifjen.

Përlyerja e kauzave publike me gënjeshtra të dukshme është mjet i qëllimshëm i asfiksimit të kauzës dhe oksigjenimit të kësaj qeverie që ka vjedhur pronat publike e private të shqiptarëve dhe kërkon të fshihet pas shpifësave të saj.

Duke përfunduar Sali Berisha mbështet fuqishëm protestën e rinisë dhe qytetarëve, por natyrisht jo shpifjet dhe shpifësit që e dëmtojnë kauzën e saj.