Fake news për vdekjen e babait s’e ndal Messin, ylli argjentinas synon rekorde të reja ndaj Austrisë
Në prag të sfidës së radhës së Argjentinës në Botërorin 2026, Lionel Messi po përballet me një periudhë të vështirë edhe jashtë fushës.
Gjendja shëndetësore e babait të tij është serioze, ndërsa situata u rëndua edhe më shumë nga një lajm i rremë që njoftonte vdekjen e tij. Pas përhapjes së kësaj fake news, gazetarja që e publikoi kërkoi falje, shpërtheu në lot dhe dha dorëheqjen.
Megjithatë, as kjo goditje nuk duket se e ka lëkundur kampionin argjentinas. Messi vazhdon të stërvitet normalisht me skuadrën, duke u mbështetur te atmosfera e jashtëzakonshme që është krijuar në kombëtaren e drejtuar nga Lionel Scaloni. Lojtarët e Argjentinës, kampionë në fuqi të botës, kanë ndërtuar një grup të bashkuar gjatë viteve, duke fituar së bashku Kupën e Botës në Katar, dy Copa America dhe Finalissima-n.
Në këtë ekip nuk ka rivalitete apo grupime të ndara dhe të gjithë janë të gatshëm të ndihmojnë liderin e tyre të arrijë rekorde të reja. Messi kryeson aktualisht renditjen e golashënuesve të Botërorit me tre gola, po aq sa Jonathan David i Kanadasë, dhe synon të fitojë për herë të parë “Këpucën e Artë” të turneut. Njëkohësisht, ai ndan vendin e parë në historinë e golashënuesve të Kupës së Botës me Miroslav Klosen, me 16 gola secili.
Të hënën Argjentina do të përballet me Austrinë dhe 39-vjeçari shpreson të vazhdojë serinë e golave dhe fitoreve. Edhe pse nuk është e lehtë të qëndrosh i përqendruar kur dikush spekulon mbi një dhimbje kaq të madhe personale, Messi duket i vendosur të mos lejojë që zhurma jashtë fushës të ndikojë në misionin e tij për të shkruar faqe të tjera historie në Botërorin 2026.