Dështimi i Turqisë në Botëror, Montella drejt largimit nga stoli i kombëtares

Ëndrrat e Turqisë për një Botëror të madh janë shuar shumë shpejt. Pas vetëm dy ndeshjeve në fazën e grupeve, kombëtarja turke është eliminuar dhe trajneri Vincenzo Montella duket se ka ditët e numëruara në krye të skuadrës.

Humbjet ndaj Australisë dhe Paraguait kanë rezultuar fatale për teknikun italian, i cili pas ndeshjes së fundit ndaj Shteteve të Bashkuara pritet të largohet nga posti i trajnerit. Mbetet për t'u parë nëse do të japë dorëheqjen apo do të shkarkohet nga Federata Turke.

Eliminimi ka qenë edhe më zhgënjyes duke pasur parasysh pritshmëritë e mëdha me të cilat Turqia mbërriti në Botërorin e organizuar në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Madje, skuadra nuk arriti të shënojë asnjë gol në dy ndeshjet e para, pavarësisht se kundër Paraguait luajti për një kohë të gjatë me një lojtar më shumë pas kartonit të kuq të Almironit.

Megjithatë, e ardhmja e futbollit turk mbetet premtuese. Talente si Kenan Yildiz dhe Arda Güler janë ende në fillimet e karrierës së tyre dhe konsiderohen si baza e një cikli të ri, që mund ta rikthejë Turqinë protagoniste që në Kampionatin Evropian të ardhshëm.

Ndërkohë, sipas mediave turke, një nga kandidatët kryesorë për të zëvendësuar Montellën është veterani Fatih Terim. Sa i përket teknikut italian, aventura e tij mund të vazhdojë sërish në Stamboll, pasi Fenerbahçe, që aktualisht është pa trajner pas largimit të Domenico Tedescos drejt Bolonjës, po e konsideron si një nga emrat e mundshëm për stolin e skuadrës.

Para se të mbyllet përfundimisht aventura e tij me Turqinë, Montella do të kërkojë të paktën të shpëtojë nderin në ndeshjen e fundit të grupit kundër SHBA-ve.