Shqipëria në këmbë kërkon largimin e tij, Rama mbledh të vetët për të shtrënguar radhët

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste mblidhet sot nën drejtimin e kryeministrit dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, në një takim ku do të marrin pjesë edhe ministrat e kabinetit qeveritar. Sipas agjendës, mbledhja do të hapet nga kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, ndërsa më pas fjalën do ta marrë Rama.

 Mes një vale të madhe protestash ku kërkohe dorëheqja e tij, me shumë socialistë që u janë bashkuar protestuesve, Edi Rama do të përpiqet të shtrëngojë radhët e deputetëve, pas ikjes nga grupi të Marjana Koçekut.

Burime nga selia rozë bëjnë me dije se deputetët do të informohen mbi konkluzionet e Konferencës së Tetë Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian dhe zhvillimet më të fundit të negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.

 Në rendin e ditës është përfshirë edhe prezantimi i paketës së ligjeve që lidhen me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa secili deputet socialist do të ketë në dispozicion deri në dy minuta për të ngritur pyetje ose për të kërkuar sqarime.

Një tjetër pikë me interes të veçantë pritet të jetë informimi mbi procedurat e ndjekura deri më tani për projektin e investimit në Zvërnec dhe interesin e shprehur për zhvillimin turistik në ishullin e Sazanit. Gjithashtu, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Administrative, Arbjan Mazniku, do të paraqesë një përditësim mbi ecurinë e reformës territoriale, ndërsa Taulant Balla do të raportojë për detyrat e lëna nga mbledhja e kaluar dhe performancën e anëtarëve të grupit parlamentar.

Takimi do të mbyllet me fjalën përfundimtare të Edi Ramës dhe Taulant Ballës. Mbetet për t’u parë nëse gjatë diskutimeve kryeministri do të komentojë edhe zhvillimet e fundit politike, përfshirë çështjen që lidhet me deputeten Martjana Koçeku apo deklaratat e fundit të ish-kryeparlamentares Elisa Spiropali në lidhje me protestat.