Aksident hekurudhor në Mynih – një i plagosur rëndë pasi del nga shinat treni i mallrave

Mynih – Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur qytetin gjerman gjatë natës, ku një tren mallrash ka dalë nga shinat dhe është rrëzuar nga një urë, duke lënë të plagosur rëndë një person.

Sipas policisë gjermane, ngjarja ka ndodhur në orët e vona të natës, kur dy vagona të një treni mallrash kanë dalë nga shinat dhe janë rrëzuar nga një lartësi prej rreth pesë metrash, duke përfunduar në një rrugë poshtë urës.

I plagosuri është dërguar me urgjencë në spital, ndërsa gjendja e tij raportohet si e rëndë.

Autoritetet bëjnë të ditur se aktualisht nuk dihet çfarë ngarkese transportonte treni, por hetimet paraprake tregojnë se nuk bëhet fjalë për materiale të rrezikshme. Policia thekson se nuk ka rrezik për popullatën përreth zonës së aksidentit.

Ndërkohë, mbetet ende e paqartë se sa kohë do të zgjasë operacioni për largimin e vagonëve të rrëzuar, ndërsa një pjesë e rrugëve në zonë pritet të qëndrojë e bllokuar deri të dielën.

Sipas një zëdhënëseje të kompanisë Deutsche Bahn, aksidenti ka ndodhur në një segment hekurudhor të përdorur ekskluzivisht për transport mallrash, ndaj shërbimet e trenave të pasagjerëve nuk janë prekur nga incidenti.