Arroganca ndaj gazetares/ CNN i përgjigjet Ramës, transmeton protestën...

Në një panel të zhvilluar në kuadër të Forumit Botëror Future Investment Initiative (FII) në Romë, Kryeministri Edi Rama u përpoq sërish të zhvendoste vëmendjen nga pyetjet mbi projektin kontrovers të Sazanit, duke rikthyer në qendër të diskutimit përplasjen e tij me gazetaren e CNN, Isa Soares.

I mësuar prej vitesh me intervista ku shpesh dominon debatin përmes ironisë, batutave dhe toneve arrogante ndaj gazetarëve në Shqipëri, Rama duket se nuk ka gjetur të njëjtin terren përballë mediave ndërkombëtare. Në vend që t’i përgjigjej drejtpërdrejt pyetjeve të gazetares së CNN, Eleni Giokos, kryeministri zgjodhi të dërgonte një mesazh për kolegen e saj, Isa Soares, duke tentuar njëherazi të paraqitej si viktimë e raportimit të rrjetit amerikan.

Rama deklaroi se CNN duhet “të shlyejë veten” ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, madje me nota ironike shtoi se televizioni amerikan u detyrohet ndjesë edhe “zogjve, ujërave dhe pemëve”. Por tentativa për të kthyer debatin në një sulm ndaj medias nuk kaloi pa përgjigje.

Ditën e sotme, Isa Soares reagoi publikisht në rrjetet sociale. Duke publikuar një fragment nga diskutimi i Ramës në Romë, gazetarja e CNN shkroi:

“Ne kemi mbuluar për javë të tëra protestat në Tiranë. Kryeministri iu referua CNN-it në një konferencë në Romë me kolegen time Eleni Giokos. Ne qëndrojmë pas raportimit tonë dhe pyetjeve që bëjmë.”

Mesazhi i Soares vjen si një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj akuzave të Ramës dhe një mbrojtje e punës gazetareske të CNN.

Në videon e publikuar, Soares rikujton raportimet e CNN mbi protestat në Shqipëri kundër Ramës. Gazetarja thekson se demonstratat kanë vazhduar për javë të tëra, se janë shoqëruar me arrestime dhe se kërkesat e protestuesve tashmë kanë kaluar përtej projektit, duke përfshirë edhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit.

Po ashtu, Soares vë në dukje se vetëm pak javë më parë Rama kishte deklaruar në emisionin e saj se projekti nuk ishte miratuar ende, ndërsa në diskutimin e zhvilluar në Romë pranoi se toka për zhvillimin e projektit ishte blerë.

Kjo përballje e tregon edhe një herë vështirësinë e kryeministrit për të menaxhuar pyetjet kritike të mediave ndërkombëtare dhe se tashmë situata i ka dalë komplet jashtë kontrollit. Nëse në Shqipëri sulmet ndaj gazetarëve dhe ironitë ndaj mediave janë bërë pjesë e zakonshme e komunikimit politik të Ramës, reagimi i Isa Soares tregoi se në arenën ndërkombëtare këto taktika nuk mbeten pa përgjigje.