I dënuari me 30 vjet burg për Banjskën përballet edhe me akuzat për barrikadat e vitit 2022 në veri të Kosovës

Dushan Maksimoviq, i vetmi nga të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë që u paraqit për të dëgjuar shpalljen e aktgjykimit, u soll i prangosur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku trupi gjykues e dënoi me 30 vjet burgim për sulmin e 24 shtatorit 2023.

Megjithatë, emri i Maksimoviqit nuk lidhet vetëm me rastin e Banjskës. Ai përballet edhe me akuza të tjera të rënda që ndërlidhen me barrikadat e ngritura në veri të Kosovës gjatë dhjetorit të vitit 2022.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Maksimoviq, së bashku me persona të tjerë, dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin dhe mbështetjen e barrikadave në Zveçan dhe zona të tjera të veriut, me synimin për të penguar funksionimin e institucioneve të Kosovës dhe veprimtarinë e Policisë së Kosovës.

Gjatë hetimeve, ai ka pranuar se kishte marrë pjesë disa herë në barrikadat e Rudarit dhe Banjskës, por ka mohuar të ketë pasur rol organizativ. Sipas deklarimeve të tij, pjesëmarrja kishte ardhur si pasojë e frikës se mund të humbiste vendin e punës në hotelin “Rajska Banjska”.

Megjithatë, Prokuroria Speciale pretendon se provat e siguruara nga telefoni i tij tregojnë një përfshirje më të thellë. Nga ekzaminimi forenzik janë gjetur fotografi ku Maksimoviq shfaqet me uniformë ushtarake, jelek antiplumb, maskë dhe armë zjarri, si dhe fotografi të personave të armatosur në zonat ku ishin ngritur barrikadat.

Sipas dosjes së hetimit, ai ishte gjithashtu pjesë e një grupi në aplikacionin Viber me emrin “Barikada December 2022”, ku komunikonte me Milosh Radosavljeviqin, Nemanja Joloviqin dhe persona të tjerë të akuzuar në këtë rast. Në grup janë identifikuar mesazhe që lidhen me uniforma, municion dhe organizimin e pjesëmarrësve në barrikada.

Para prokurorëve, Maksimoviq ka pranuar autenticitetin e disa mesazheve, përfshirë komunikime si “Ka arritur uniforma” dhe “Sot të gjithë do të pranojmë municionin”, megjithëse ka deklaruar se nuk ka shpjegim për përmbajtjen e tyre. Ai ka konfirmuar gjithashtu se në disa fotografi shfaqet i uniformuar dhe se në një rast mbante një pushkë gjuetie.

Prokuroria Speciale vlerëson se komunikimet, fotografitë dhe materialet e tjera të sekuestruara dëshmojnë se Maksimoviq nuk ka qenë thjesht pjesëmarrës në barrikada, por pjesë e rrjetit që koordinonte aktivitetet në terren, shpërndante informacione operative dhe mbështeste organizimin e strukturave që vepronin në veri.

Edhe pse vazhdon të mohojë përfshirjen në aktivitete kriminale, organi i akuzës konsideron se provat e mbledhura tregojnë një rol aktiv të tij në grupin që qëndronte pas barrikadave të vitit 2022. Sipas Prokurorisë, këto zhvillime paraprinë organizimet e mëvonshme të grupeve të armatosura në veri, të cilat kulmuan me sulmin terrorist në Banjskë, për të cilin Maksimoviq tashmë është dënuar me 30 vjet burgim.