Protestat qytetare/ Një grup eurodeputetësh vijnë me urgjencë në Shqipëri
Më 17 qershor, Parlamenti Europian votoi raportin mbi Shqipërinë, duke theksuar progresin e vendit në procesin e zgjerimit të BE-së, por edhe nevojën për marrjen e masave mbrojtëse mjedisore.
Për të hedhur dritë mbi thesaret natyrore të rrezikuara të Shqipërisë, një grup eurodeputetësh të grupi parlamentar të Gjelbërve/EFA-s do të vizitojnë peizazhin e zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë nga 29 qershori deri më 1 korrik.
Ata kanë njoftuar se do të takohen me komunitete lokale, mbrojtës të mjedisit dhe përfaqësues të qeverisë.
Eurodeputetja Tineke Strik, raportuese në hije për raportin e Komisionit për vitin 2025 mbi Shqipërinë u shpreh: ‘E ardhmja e Shqipërisë është në BE. Procesi i zgjerimit të BE-së duhet të shkojë krah për krah me progresin e vazhdueshëm në mbrojtje të forta mjedisore, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe transparencën. Ky raport pasqyron kryesisht këto prioritete.
‘Grupi ynë ndan shqetësimet e protestuesve në lidhje me zonën e Vjosë - Nartës. Ne përfshimë me sukses në raport një thirrje që autoritetet shqiptare të ndalojnë menjëherë të gjitha ndërhyrjet e reja në zonat e mbrojtura derisa kuadri ligjor i Shqipërisë të përputhet plotësisht me standardet evropiane mjedisore.
‘Qytetarët e Shqipërisë do të vendosin për të ardhmen e vendit. Kjo e ardhme duhet të ndërtohet mbi mbrojtjen e thesareve të saj natyrore, jo mbi fitimet afatshkurtra në kurriz të biodiversitetit dhe komuniteteve lokale.
Protesta e flamingove tregon se qytetarët kujdesen për mbrojtjen e mjedisit dhe anëtarësimin në BE. Ne do të qëndrojmë me ta, duke mbështetur protestën e tyre kundër aleatëve të Trumpit që shfrytëzojnë trashëgiminë e tyre natyrore dhe duke mbështetur udhëtimin e tyre drejt BE-së’, tha ajo
Eurodeputetja Tineke Strik do të udhëheqë misionin në Shqipëri, e shoqëruar nga eurodeputetët Cristina Guarda, Vicent Marzà i Ibáñez, Daniel Freund, Jutta Paulus dhe Anna Strolenberg (Volt).