Shqiptarja nga Franca: Shqipëria është Europa, jo qeveria që na ka mbajtur larg saj

Një qytetare e ardhur nga Franca iu bashkua protestës së 20-të para Kryeministrisë, duke sjellë një mesazh të fortë mbështetjeje për qytetarët që prej javësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Ajo vlerësoi qëndresën e protestuesve ndër vite, duke theksuar se padrejtësitë mund t’i kenë përballuar, por nuk i kanë pranuar kurrë.

Në fjalën e saj, qytetarja iu drejtua edhe liderëve europianë, duke deklaruar se shqiptarët janë një popull europian që meriton të jetë pjesë e Europës së bashkuar.

Qytetarja: Shqipëri të është mbushur shtëpia plot! Po të kthehen fëmijët! Unë erdha sot nga Franca. Kam 19, 20 ditë që jam ndalur në këtë moment. Ju kam ndjekur që nga zgjimi dhe deri kur shkoja në shtrat, dhe kur mbyllja sytë dëgjoja vetëm: Rama ik, Rama ik!

T'ju mbushet shtëpia plot! Jo vetëm nga ne që erdhëm. Se jeni ju që keni qëndruar këtu 35 vjet që e filluat këtë mrekulli. Dhe unë sot ju përulem. Ju përulem për të gjitha hallet. Për të gjitha vështirësitë. Për të gjitha momentet kur keni menduar se e keni përkulur kurrizin, që i keni ngrënë një nga një të gjitha prapaskenat e krimit që ai ka firmosur. Po sot... sot po tregoni se ndoshta i keni ngrënë, po nuk i keni gëlltitur kurrë! Dhe ja ku jemi sot të gjithë bashkë, nga i gjithë bota, nga i gjithë planeti, që t'ia vjellim në fytyrë të gjitha ato që na ka bërë të hamë!

Unë vij nga Franca, ku njerëzit megjithëse kanë një kulturë gjigante të demokracisë, vështirësitë e tyre po i shprehin duke iu drejtuar ekstremizmit. Shqipëria po tregon një shembull të mrekullueshëm. Që një revolucion mund të fillojë nga natyra, nga fëmijët, jo nga njerëzit e huaj që vijnë për një jetë më të mirë. Dua t'i them zonjës Ursula von der Leyen dhe të gjithë kryetarëve të nderuar të popujve të Europës së Bashkuar: populli që meriton të futet në Europë është ky! Nuk është kjo qeveri që na ka mbajtur larg Europës me korrupsion, me padrejtësi dhe me prapambetje për popullin e thjeshtë. Ne jemi Europa! Kemi nevojë për ju, po aq sa keni ju nevojë për ne. Se jemi popull i çiltër, jemi popull i lirë, jemi popull demokrat, jemi popull europian! Jemi Shqipëria e re! Ku është mjalti më i ëmbël se këtu?