‘Rama dhe ish-diktatori janë njësoj’/ I moshuari nga Korça thirrje rinisë: Ndryshoni Kushtetutën…
Vijon prej 20 ditësh radhazi protesta e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë mbledhur sërish në shesh në Tiranë për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe për të kërkuar ndryshime politike, përfshirë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta është shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit. Në Korçë qytetarët po protestojnë prej disa ditësh radhazi, ku një i moshuar ka marrë fjalën para protestuesve dhe ka shprehur qëndrimet e tij për situatën politike në vend.
Sipas protestuesit, problemi kryesor lidhet me mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe me Kushtetutën aktuale. “Enver Hoxha i kishte të gjithë pushtetet dhe edhe Edi Rama i ka të gjithë pushtetet. Sa të kemi Edi Ramën, do të vuajë ky popull”, deklaroi ai.
Më tej, ai bëri thirrje për ndryshime kushtetuese, duke u shprehur se vendi ka nevojë për një sistem që, sipas tij, të sjellë më shumë mirëqenie për qytetarët.
Në fund të fjalës së tij, qytetari nga Korça deklaroi se sipas tij “komunizmi është ringjallur në këtë vend” dhe falënderoi protestuesit për dëgjimin.
I moshuari:
Zonja dhe zotërinj, unë ju përshëndes. Desha të thesha vetëm një a dy gjëra, domethënë. Dua t'ju bëj një pyetje. Ç'ndryshim ka Edi Rama nga ish-diktatori Enver Hoxha?
Domethënë, për mendimin tim nuk ka asnjë ndryshim. Enver Hoxha i kishte të gjithë pushtetet, edhe Edi Rama i ka të gjithë pushtetet. Neve sa të kemi Edi Ramën, domethënë, do vuajë ky popull. Por, a e dini nga se vuan ky popull? Ky vuan nga Kushtetuta.
Se Kushtetuta është Kushtetutë komuniste. Domethënë. Unë ju bëj thirrje protestuesve që të ndryshojnë Kushtetutën. Se me këtë Kushtetutë që kemi neve, nuk bën përpara ky komb. Unë nuk kam gjë për anën time personale. Unë dua që populli të jetojë mirë, siç jetojnë në tërë botën.
Prandaj, edhe një herë ju bëj thirrje protestuesve, se s'kam mundësi të shkoj në Tiranë. Dua të vendosin për të ndryshuar Kushtetutën, se komunizmi është ringjallur në këtë vend. Faleminderit shumë që më dëgjuat.