‘Rama ka frikë’, Qytetari: Pushteti favorizon vetëm oligarkët, do ta shporrim këtë qeveri
Mijëra qytetarë janë mbledhur sërish këtë të enjte në Tiranë në protestën e 20-të të organizuar përpara godinës së Kryeministrisë, ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protesta është shoqëruar me akuza të forta ndaj qeverisë për mungesë transparence, korrupsion, kapje të institucioneve dhe favorizim të një pakice të privilegjuar, ndërsa protestuesit kanë theksuar se pushteti po qeveris me arrogancë dhe propagandë, duke u shkëputur nga qytetarët.
Një qytetar në podium u shpreh se Shqipëria nuk është pronë private e askujt dhe se pushteti është i përkohshëm, ndërsa qytetarët do të vazhdojnë të jenë në shesh për të mbrojtur të drejtat dhe pasuritë kombëtare.
Ai akuzoi qeverinë se ka premtuar transparencë dhe shtet ligjor, por ka prodhuar, sipas saj, arrogancë institucionale, zhvillim të pabarabartë dhe përfitime për një rreth të ngushtë oligarkik.
Protestuesi ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e standardeve europiane në qeverisje dhe kërkuan përgjegjësi politike, duke theksuar se asnjë pushtet nuk është mbi ligjin dhe interesin kombëtar.
Fjala e tij:
Të dashur qytetarë, sot është dita e 20-të e protestës dhe ne jemi po këtu. Ne e duam Shqipërinë. Ne nuk i përkasim asnjë partie politike, jemi shqiptarë. Kemi gjak shqiptar, na thërret kombi dhe, kur kombi na thërret, ne jemi këtu për kombin tonë.
Të dashur qytetarë, sot nuk jam këtu për t’u përgjigjur ironive, talljeve apo propagandës së pushtetit. Sepse pushteti është i përkohshëm, kurse ne jemi gjithmonë këtu. Jam këtu për t’i kujtuar kësaj qeverie se Shqipëria nuk është pronë private e askujt.
Kur një kryehajdut fillon të sulmojë qytetarët, aktivistët dhe këdo që ngre zërin për mbrojtjen e pasurive kombëtare, ai nuk po tregon forcë. Ai po tregon frikë. Rama ka frikë! Rama ka frikë! Rama ka frikë! Ka frikë nga e vërteta, ka frikë nga llogaridhënia, ka frikë nga zëri i lirë i qytetarëve.
Dhe ne këtu po tregojmë qytetari, sepse çdo ditë jemi këtu në shesh për të drejtat tona. Sot kemi një qeveri që, për vite me radhë, na ka premtuar transparencë dhe na ka dhënë arrogancë. Na ka premtuar shtet ligjor dhe na ka dhënë dyshime dhe polemika. Na ka premtuar zhvillim për të gjithë dhe shumë qytetarë ndjejnë se zhvillimi po favorizon vetëm një pakicë të privilegjuar që quhen oligarkë.
Të dashur qytetarë, nuk mund të flitet për Europën në mëngjes dhe të shpërfillen standardet europiane pasdite. Europa sytë dhe veshët i ka këtu. Të gjithë shqiptarët kudo që janë, sytë dhe veshët i kanë këtu. Dhe ata do të vijnë po këtu dhe do t’i tregojnë qeverisë që ne, me demokraci dhe me forcën e fjalës, do ta shporrim këtë qeveri.
Nuk mund të kërkosh besim kur fjalët dhe veprat nuk përputhen. Një udhëheqës nuk gjykohet nga fjalimet që mban, por gjykohet nga pasojat e vendimeve që merr.
Prandaj sot i themi pushtetit: mjaft me propagandën! Mjaft me mediat e korruptuara! Mjaft me përçarjen! Mjaft me gjuhën e përbuzjes ndaj qytetarëve shqiptarë! Mjaft!
Shqiptarët meritojnë një qeverisje që dëgjon, jo një pushtet që tallet. Meritojnë transparencë, jo arrogancë. Meritojnë përgjegjësi, jo justifikime.
Dhe në qoftë se kryehajduti ka probleme me moralin, atëherë ato janë problemet e tij. Ne kemi dinjitet kombëtar. Ne jemi shqiptarë, e duam Shqipërinë, e duam demokracinë, e duam Europën, por ai po na largon nga kjo.
Dhe nëse një qeveri nuk është me ne dhe nuk është në gjendje të ruajë besimin e qytetarëve që po thyhet, atëherë rruga më e ndershme në këtë demokraci është të hapë rrugë për përgjegjësi politike dhe ndryshim.
Sepse asnjë post nuk është më i rëndësishëm se Shqipëria. Asnjë pushtet nuk është më i madh se ligji dhe asnjë qeveri nuk është mbi interesin kombëtar.
Rroftë Shqipëria e shqiptarëve! Rroftë Kosova! Rroftë gjithë shqiptaria! Rroftë edhe Çamëria, mos ta harrojmë! Rroftë! Rroftë Shqipëria!