Humbi kontrollin e motorit dhe doli nga rruga, humb jetën 35-vjeçari në autostradën Fier-Lushnjë
Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një shtetasi është regjistruar pak minuta më parë në fshatin Vajkan të Fierit.
Viktima është identifikuar si Armando Selmanllari, 34 vjeç. Sipas informacioneve paraprake, një motomjet ka dalë nga rruga dhe për pasojë e përplasjes së fortë drejtuesi ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Fier. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet procedurale dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, si dhe përcaktimin e shkakut dhe përgjegjësive të mundshme.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 17:10, në aksin rrugor Fier–Lushnjë, shtetasi A. S., 34 vjeç, duke drejtuar një motomjet, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit, 34-vjeçari ka humbur jetën në vendngjarje. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.