Itali/ Goditet një bandë shqiptare, vodhën disa argjendari, mallra me vlerë mbi 500 mijë euro
Një operacion i gjerë i Karabinierëve të Kompanisë së Bassano del Grappa, i koordinuar nga Prokuroria e Vicenzës, ka çuar në zbardhjen e një serie vjedhjesh që goditën rëndë sektorin e argjendarisë në Italinë Veriore dhe Qendrore.
Sipas autoriteteve italiane, tre shtetas shqiptarë, me inicialet E.F., E.R. dhe E.T., përkatësisht 37, 40 dhe 44 vjeç, janë identifikuar si të dyshuar për përfshirje në disa vjedhje dhe tentativa vjedhjesh të kryera mes nëntorit 2025 dhe shkurtit 2026 në provincat Vicenza, Verona, Arezzo dhe Macerata.
Hetimet lidhen me një operacion të zhvilluar më 26 shkurt 2026 në zonën periferike të Milanos.
Gjatë kontrolleve të kryera në një garazh në Trezzano sul Naviglio, që sipas hetuesve shërbente si bazë logjistike e grupit, u gjet dhe u sekuestrua një pistoletë gjysmëautomatike Heckler & Koch me municion, e rezultuar e vjedhur më parë. Po ashtu u sekuestruan rreth 53 mijë euro para në dorë, bizhuteri të çmuara, ora luksoze dhe targa të klonuara që dyshohet se përdoreshin gjatë aktiviteteve kriminale.
Gjetja e armës çoi në arrestimin në flagrancë të tre personave, të cilët ndodhen në burgun e San Vittore në Milano.
Nga analizimi i materialeve të sekuestruara dhe verifikimet e mëvonshme, hetuesit arritën t’i atribuojnë grupit dhjetë episode kriminale të kryera kundër kompanive të sektorit të metaleve dhe gurëve të çmuar.
Në provincën e Arezzos, grupi dyshohet se ka kryer tre vjedhje të ndryshme mes nëntorit 2025 dhe shkurtit 2026, duke marrë më shumë se 23 kilogramë argjend, produkte gjysmë të përpunuara dhe bizhuteri me një vlerë që kalon 110 mijë euro.
Në Trevenzuolo të Veronës, objektiv i grabitjes ishte një kompani e sektorit të argjendarisë, nga ku u vodhën materiale ari dhe argjendi, gurë të çmuar, pesë shufra ari prej 100 gramësh secila si dhe dy ora luksoze Rolex.
Ndërkohë, në provincën e Vicenzës, veçanërisht në Romano d’Ezzelino, Quinto Vicentino dhe Camisano Vicentino, grupi dyshohet për disa sulme ndaj bizneseve, përfshirë një tentativë të dështuar dhe vjedhje të sendeve me vlerë dhe parave cash.
Aktiviteti kriminal shtrihej edhe në rajonin Marche, ku në qytetet Recanati dhe Potenza Picena u regjistruan vjedhje të orëve luksoze, bizhuterive prej ari dhe argjendi me vlerë mbi 55 mijë euro.
Sipas Karabinierëve, anëtarët e grupit vepronin me lëvizje të vazhdueshme ndërmjet rajoneve të ndryshme të Italisë. Ata përdornin automjete të fuqishme të regjistruara në emra personash të tretë dhe vendosnin sistematikisht targa të falsifikuara, të realizuara mbi modele identike të mjeteve, me qëllim shmangien e identifikimit nga kamerat e sigurisë dhe sistemet e monitorimit rrugor.
Autoritetet italiane e konsiderojnë operacionin një goditje të rëndësishme ndaj kriminalitetit të organizuar që synon sektorin e argjendarisë. Përveç identifikimit të autorëve të dyshuar, hetimi mundësoi rikuperimin e të gjithë mallrave të vjedhura, me një vlerë të përgjithshme që tejkalon 500 mijë euro.
E gjithë pasuria e rikuperuar është njohur zyrtarisht nga kompanitë e dëmtuara dhe u është kthyer pronarëve të ligjshëm.