Mediat portugeze me kritika të forta: Shumë gabime, kështu nuk funksionon

Barazimi 1-1 i Portugalisë ndaj Republikës Demokratike të Kongos në debutimin e Kupës së Botës 2026 ka shkaktuar një valë kritikash në mediat luzitane, të cilat nuk kanë kursyer as kapitenin Cristiano Ronaldo.

Paraqitja e skuadrës së drejtuar nga Roberto Martinez është cilësuar zhgënjyese dhe larg pritshmërive të një pretendenteje për trofeun.

Gazeta prestigjioze “A Bola” e përshkroi ndeshjen si: “shumë lojë, pak raste dhe shumë gabime”, duke vendosur në faqen e parë një foto të Ronaldos me dorën në fytyrë.

Sipas saj, ylli portugez zhvilloi një paraqitje të dobët dhe humbi dy raste të pastra shënimi në mënyrë të pazakontë.

Po aq kritike ishte edhe “Record”, që doli me titullin: “Kjo nuk do të funksionojë, Portugali”, duke theksuar se kombëtarja duhet të rrisë ndjeshëm nivelin nëse dëshiron të realizojë ëndrrën botërore.

Ndërkohë, “O Jogo” foli për një debutim zhgënjyes, duke veçuar performancën e dobët të CR7 dhe të gjithë ekipit.

Edhe mediat e përgjithshme iu bashkuan kritikave.

“Correio da Manhã” zgjodhi titullin ironik “Hjuston, kemi disa probleme”, duke aluduar për vështirësitë e dukshme të Portugalisë në ndeshjen e zhvilluar në SHBA.

Portugalia kaloi e para në avantazh me golin e Joao Neves në minutën e 6-të, por Kongo reagoi shpejt dhe barazoi me Joane Visa.

Tani presioni mbi Ronaldon dhe shokët e tij është rritur ndjeshëm përpara sfidës së radhës ndaj Uzbekistanit, ku një tjetër hap fals mund të komplikojë seriozisht rrugëtimin e tyre në Botëror.