SYRI TV/ Rama injoroi BE për 'Zonat e Mbrojtura', PS: Ndryshimet ligjore, jo lidhje me integrimin

Dy vite më parë, kryeministri Rama injoroi standardet e Bashkimit Europian për ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura, edhe pse fushatën elektorale të vitit 2024 e udhëhoqi me premtimet për integrimin. Por u desh protesta 20-ditore e qytetarëve dhe shuplaka nga europarlamentarët pak ditë më parë, që kryeministri Rama të tërhiqet dhe të propozojë rishikimin e saj.

Syri TV

Kryeministri Edi Rama tha se do të rishikohen ndryshimet e vitit 2024 në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, pas shuplakës që mori nga europarlamentarët dhe në vijim të protestave qytetare gati 20-ditore.

“Do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet, nëse nuk përputhet, me kriteret dhe standardet e BE-së dhe më pas do të ndërhyjmë”, deklaroi ai në një postim në rrjetet sociale, mesditën e së enjtes.

Por Rama, i cili udhëhoqi fushatën elektorale për mandatin e tij të katërt me sloganin “Shqipëria në BE në vitin 2030”, në fakt i injoroi tërësisht standardet e Unionit kur miratoi ndryshimet ligjore për “Zonat e Mbrojtura” 2 vjet më parë, amendime që i hapin rrugë betonizimit të perlave natyrore shqiptare.

Deputetët e maxhorancës, që propozuan ndryshimet ligjore në vitin 2024, e pranonin tërësisht se ato amendime nuk synonin përafrimin me asnjë direktivë europiane.

Fadil Nasufi, në emër të grupit të deputetëve propozues, nuk i përmendi fare standardet e Bashkimit Europian, kur dorëzoi projektligjin në Parlament.

Komisioni për Çështjet Europiane, struktura parlamentare përgjegjëse për përputhjen e legjislacionit shqiptar me atë të Unionit, deklaronte: “Projektligji ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”’ nuk synon të përafrojë asnjë direktivë europiane”.

Një qëndrim i tillë u përsërit edhe në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Ndryshimet ligjore në atë komision u mbrojtën nga relatori Jurgis Çyrbja, ish-deputeti socialist, i cili u arrestua pak kohë më vonë për bashkëpunim me grupe kriminale.

Parlamenti Europian miratoi pak ditë më parë një rezolutë, në të cilën kërkohet që të pezullohen menjëherë efektet e ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura” të vitit 2024. Ndërkohë, opozita ka paraqitur nismën ligjore për shfuqizimin e plotë të tyre.

Prej tre javësh, mijëra qytetarë protestojnë paqësisht në Tiranë, ku kërkojnë shfuqizimin e këtyre ndryshimeve ligjore, pasuar me dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.