Interi, i hapur për shitjen e Bastonit, por nuk zbret poshtë kesaj shume
E ardhmja e Alessandro Bastonit mund të jetë larg Interit. Mbrojtësi i kombëtares së Italisë është shndërruar në një nga objektivat kryesorë të trajnerit të ri të Realit të Madridit, José Mourinho, i cili e vlerëson shumë qendërmbrojtësin zikaltër.
Sipas medieve italiane, Interi është i vetëdijshëm për interesimin e madrilenëve dhe nuk e konsideron Bastonin të pashitshëm. Megjithatë, drejtuesit e klubit kanë bërë të qartë se nuk do të hapin negociata për më pak se 70 milionë euro.
Bastoni, 27 vjeç, vjen pas një sezoni të suksesshëm me Interin e Cristian Chivu, ku fitoi titullin kampion të Italisë. Ai është një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes zikaltër dhe konsiderohet ndër mbrojtësit e majtë më të mirë në Europë.
Edhe Barcelona kishte shfaqur interes për italianin disa muaj më parë, por katalanasit nuk ishin në gjendje të investonin shumën e kërkuar nga Interi dhe nuk paraqitën asnjë ofertë zyrtare. Bastoni ka kontratë me klubin milanez deri në verën e vitit 2028 dhe përfiton rreth 5.5 milionë euro në sezon.
Nëse Reali do të ishte i gatshëm të paguante 70 milionë eurot e kërkuara, Interi do të pranonte të ulej në tavolinën e bisedimeve. Marrëdhëniet mes dy klubeve janë të mira, sidomos pas kontakteve të fundit për transferimin e Denzel Dumfries drejt Madridit.
Nga ana e tij, Bastoni mbetet i lidhur fort me Interin, klub që e ka mbështetur gjithmonë edhe në momentet më të vështira. Megjithatë, mundësia për të veshur fanellën e Realit të Madridit dhe për të punuar me Mourinho-n mund të jetë një tundim i madh për mbrojtësin italian.
Për momentin, mesazhi i Interit është i qartë: Bastoni mund të largohet vetëm për ofertën e duhur dhe nuk do të ketë asnjë ulje të çmimit.