SYRI TV/ Kërkohet dorëheqja e Valbona Treskës, anëtarët: Treskës i ka përfunduar mandati
Përfaqësues dhe anëtarë të Urdhrit të Psikologut kanë kërkuar dorëheqjen e kreut të tij, Valbona Treska. Gjatë Asamblesë së dhjetë kombëtare të Urdhrit të Psikologut, anëtarët nuk u lejuan të merrnin pjesë, ndërsa kanë kundërshtuar me forcë Treskën, e cila sipas tyre vepron në shkelje të ligjit dhe ka miratuar një buxhet, shpenzimet e të cilit nuk i justifikon. Ndërkohë, përveç dorëheqjes së Treskës, në sallë janë dëgjuar edhe thirrjet “Rama jep dorëheqjen”.
Urdhri i Psikologut është futur në një kolaps, pas uzurpimit të këtij institucioni dhe mosnjohjes së zgjedhjeve për kryetaren e këtij urdhri. Një vit më parë, Urdhri i Psikologut mbajti zgjedhje pasi ish-kryetares Valbona Treska i kishte përfunduar mandati prej kohësh. Në garë për postin e kryetarit ishte Elona Mustafaraj, sekretarja e Urdhrit, dhe psikologia Brunilda Laboviti, e cila u shpall edhe fituese.
Por pas zgjedhjeve, Valbona Treska refuzoi që t’i njihte ato, duke vijuar të mbajë zyrën e kryetarit të Urdhrit, edhe pas përfundimit të mandatit. Sot, një vit pas, teksa çështja ka përfunduar në dyert e gjykatave, përplasja në Urdhrin e Psikologut vijon.
Valbona Treska që mban ende postin e kryetares dhe sekretarja Elona Mustafaraj, që humbi në zgjedhje, kanë thirrur mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ku pritej të miratohej buxheti i Urdhrit që përllogaritet në 190 milionë lekë, si dhe vendime të tjera në lidhje me funksionimin e këtij institucioni. Por mbledhja, që duhet të ishte e hapur për të gjithë anëtarët e Asamblesë dhe transparente, ka përfunduar në një sallë të ruajtur me siguri, ku forcat e sigurisë kanë nxjerrë jashtë si mediat ashtu edhe anëtarët që kërkonin transparencë.
Pas tensioneve, Treska vendosi të shtyjë mbledhjen e asamblesë, ndërsa gjatë diskutimeve shumë nga anëtarët nuk u lejuan të merrnin fjalën. Ata janë shprehur kundër miratimit të buxhetit, për shkak të shpenzimeve që sipas tyre janë të pajustifikuara. Kjo sjellje dhe shtyrja e asamblesë janë cilësuar të paprecedent nga psikologia që fitoi zgjedhjet një vit më parë, Brunilda Laboviti.
Në mënyrë simbolike, psikologët kanë ngritur kartonat e kuq, duke bërë thirrje për dorëheqje të Treskës.
Kjo situatë, që ka degraduar deri në përplasje, fakton edhe njëherë situatën ku është zhytur ky institucion, që jo pak herë është denoncuar në media edhe për abuzime me fondet apo padrejtësi në kurriz të psikologëve.