‘Informacioni i klasifikuar në duart e krimit’, Balliu: Kompanitë e Agasit dhe Beqirit, tendera pa certifikata sigurie
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Klevis Balliu ka ngritur alarmin për dhënien e certifikatave të sigurisë, individëve të dyshuar për lidhje me krimin.
Në një deklaratë për mediet nga Kryesia e Kuvendit, Balliu tha se agjencitë shtetërore janë kthyer në vegla që komandohen nga individë jashtë këtyre institucioneve, duke vendosur në rrezik të plotë sigurinë e informacionit të klasifikuar.
Ligjvënësi demokrat hodhi akuza, edhe lidhur me tenderët e përfituar nga kompani, të cilat sipas tij kanë marrë projekte të rëndësishme pavarësisht mungesës së certifikatave të sigurisë.
Balliu theksoi gjithashtu se parlamenti ka humbur normalitetin e tij, dhe se i vetmi rend dite që duhet të ekzistojë në komisione dhe seanca plenare janë kërkesat e qytetarëve protestues.
Duke mos i dhënë zë dhe duke mos lejuar diskutimet për çështjet dhe kërkesat e protestuesve është një akt i turpshëm. Aq më tepër kur bëhet fjalë për agjenci të cilat nuk kanë në dorë të bëjnë absolutisht asgjë pasi komandohen nga njerëz të tjerë që nuk janë as në krye të këtyre detyrave. Si mund të flasim ne për autoritetin kombëtar për sigurinë e informacionit të klasifikuar ku jepen certifikatat e sigurisë individëve të cilët edhe kanë qenë të lidhur me krimin siç ka ndodhur më parë qoftë me agjentë të AMP-së apo edhe me vetë deputetë që kanë pasur certifikatë sigurie.
Ndërkohë që siguria është vendosur në duart e Ergys Agasit, informacioni i klasifikuar është vendosur në duart e Gys Agasit. Ndërkohë që kompanitë e Ergys Agasit dhe Beqirit merrnin tendera dhe projekte pavarësisht se kishin apo nuk kishin certifikatë sigurie. Në këtë aspekt, të tallesh me qytetarët shqiptarë duke bërë gjëja raportime për interesat e pushtetit për të zhbërë të vërtetën e madhe që po shikojnë çdo qytetar i vendit tonë, po edhe shqiptarët që janë jashtë Shqipërisë, që është vetëm një dhe e vetme: Interesi kombëtar sot po flitet nga qytetarët që po protestojnë. Interesi kombëtar sot janë kërkesat e qytetarëve, e të rinjve dhe të rejave që po protestojnë.
Si mund të flasim ne për agjencinë kombëtare të mbrojtjes civile kur kjo agjenci nuk kishte mundësinë as të ndihmonte qytetarët në fikjen e zjarrit tek pallati që u dogj në sytë të çdo qytetari të Tiranës, ku zjarrfikëset shkonin deri në katin e 5-të apo në katin e 6-të, pavarësisht investimeve dhe parave të mëdha që janë akorduar. Si mund të flasim ne për normalitet parlamentar kur ky parlament praktikisht është zhbërë nga kërkesat e qytetarëve.
Ka vetëm një rend dite që duhet të ketë në kryesi të kuvendit, në komisione, edhe në parlament dhe ai rend dite janë kërkesat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë arsye, Partia Demokratike sot në komisionin e punëve të brendshme artikuloi se rendi i ditës është një dhe i vetëm, janë kërkesat e qytetarëve dhe mbështesim ato kërkesa, pavarësisht lojërave të pushtetit aktual që kërkon të mbylli gojë.