Tragjedi në plazhin Tale të Lezhës, mbyten në det dy vajza të mitura (EMRAT)
Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e kësaj të premteje në bregdetin e Tales, ku dy të mitura, të moshave 9 dhe 11 vjeçe, kanë humbur jetën pasi janë mbytur në det.
'Rreth orës 12:50, në plazhin e Tales, dy shtetase të mitura, të moshave 9 dhe 11 vjeçe, dyshohet se janë mbytur duke u larë në det" informoi policia.
Viktimat janë Jonida Dajlani, 9 vjeç dhe Adelajda Misha 11 vjeç.
Policia informon se në bashkëpunim me pushuesit, është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupave të pajetë në breg të cilat më pas janë transportuar në morgun e Spitalit Rajonal të Lezhës.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ndodhi në një zonë plazhi publik.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Plazhe të pasigurta
Mungesa e sigurisë në plazhet e Lezhës ka qenë një problematikë e vazhdueshme edhe në vitet e kaluara, ndërsa institucionet përgjegjëse vijojnë të mos veprojnë për të përmbushur këtë detyrim ligjor dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve.
Pak ditë më parë Syri ngriti problematikën e madhe, dhe u dha zë shqetësimit të pushuesve për plazhet e pasigurta të Lezhës.
Ndërsa më 3 qershor po në plazhin e Shëngjinit humbën jetën dy të rinj nga Kosova.
Leonit Aliu dhe Jetmir Binaku,përkatësisht 21 dhe 22 vjeç humbën jetën tragjikisht në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin.