'Dyfytyrësia' e Veliajt, shkon fizikisht në Gjykatën Administrative, por jo në seancat e GJKKO-së

Sot në Gjykatën Administrative në orën 14:00 mbahet seanca për padinë e bërë nga kryebashkiaku i arrestuar me 13 akuza për 5 vepra të rënda penale, Erion Veliaj, ndaj prokurorit Ols Dado.

Erion Veliaj vijon të shfaqë “dyfytyrësinë” e tij në lidhje me proceset gjyqësore. Kjo pasi në Gjykatën Administrative ai paraqitet fizikisht, ndërsa në Gjykatën e Posaçme refuzon të shkojë apo të përballet me procesin gjyqësor duke e shtyrë pafundësisht.

Veliaj i kërkoi gjykatës të urdhërojë KLP të jetë prezente në seancë.

"KLP është në mungesë në gjithë këtë proces jo vetëm sot, KLP nuk kthen përgjigje, siç urdhëroni publikun të fshijë filmimet urdhëroni KLP-në të përgjigjet, them se sështë detyrues e të mungojë një organ që ska tagër për tu shprehur, më mirë në mungesë të KLP se sa me mungesë" tha Veliaj.

Gjykata vendosi të vijojë gjykimi në mungesë të KLP-së.

Gjykata nuk lejoi sërish mediat që të transmetojnë seancën live, po ky vendim është kundërshtuar nga avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, i cili e cilësoi kufizimin si një formë censure ndaj publikut dhe medias.

Plarent Ndreca, avokat i Veliajt tha:  Duket se në këtë proces po humbet durimi në çdo kuptim dhe po kthehet në një proces qesharak. Kjo vihet re që te dera, ku një polic pa kompetencë rri dhe ndalon hyrjen e qytetarëve në seancën publike. Salla e gjyqit administrohet nga ju dhe nga gjykata. Kanë bërë kërkesë gazetarët, ka kaluar çdo lloj mirëkuptimi. Nuk gjej fjalë etike për të vlerësuar këtë absurd, mbylljen hermetike të një procesi që duhet të jetë në sytë e publikut, por që po kthehet në një gjykatë të mbyllur me hekura.

Në kërkesëpadinë e tij, Veliaj parashtrohen pretendime për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 5936, datë 17.11.2008, për emërimin e z. Ols Dado në detyrën e prokurorit të Republikës së Shqipërisë.

Çështja shqyrtohet nga gjyqtari Hazbi Balliu.