Premier League publikon kalendarin, Arsenali kampion e nis sezonin ndaj Coventry-t

Premier League ka publikuar kalendarin zyrtar për sezonin 2026/27. Kampioni në fuqi, Arsenal, do ta nisë mbrojtjen e titullit në shtëpi përballë skuadrës së sapongjitur në elitë, Coventry City.

Ndeshja hapëse e sezonit do të luhet të premten, më 21 gusht 2026, ndërsa java e parë do të zhvillohet gjatë fundjavës së 22-24 gushtit. Sezoni i ri do të nisë 90 ditë pas përfundimit të kampionatit të kaluar dhe vetëm 34 ditë pas finales së Botërorit 2026 në Shtetet e Bashkuara. Kampionati do të mbyllet më 30 maj 2027.

Një nga ndeshjet më të pritura të javës së parë do të jetë ajo mes Manchester City-t dhe Bournemouth-it, që do të shënojë debutimin e “Qytetarëve” në epokën pas largimit të trajnerit legjendar Pep Guardiola.

Pas fitimit të titullit të parë kampion pas më shumë se dy dekadash, skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta do të synojë ta nisë sezonin e ri me fitore përpara tifozëve të saj në stadiumin “Emirates”. Ndërkohë, rivalët kryesorë për titull pritet të jenë sërish Manchester City, Liverpool, Chelsea dhe Manchester United.

Programi i javës së parë të Premier League 2026/27:

21 gusht

Arsenal – Coventry City

22 gusht

Hull City – Manchester United

Everton – Crystal Palace

Ipswich Town – Sunderland

Nottingham Forest – Leeds United

Brentford – Tottenham Hotspur

 

23 gusht

Brighton – Aston Villa

Manchester City – Bournemouth

Newcastle United – Liverpool

24 gusht

Fulham – Chelsea