Polemika në Botëror, Algjeria ankohet në FIFA pas humbjes ndaj Argjentinës

Në Botërorin 2026 ka shpërthyer një tjetër debat i madh, pasi Algjeri ka dorëzuar një ankesë zyrtare në FIFA pas humbjes 3–0 ndaj Argjentinës.

Federata algjeriane e futbollit pretendon se gjatë ndeshjes janë bërë gabime serioze nga gjyqtari, të cilat sipas saj kanë ndikuar drejtpërdrejt në rrjedhën e lojës. Në qendër të polemikave është një episod i minutës së 31-të, ku Lionel Messi dyshohet se ka ndërhyrë ashpër ndaj mbrojtësit Aïssa Mandi pa u ndëshkuar me karton të kuq.

Sipas medieve algjeriane, pamjet e këtij incidenti janë bërë virale në rrjetet sociale dhe kanë shkaktuar reagime të shumta në opinionin sportiv ndërkombëtar.

Një tjetër episod i kontestuar nga Algjeria ndodhi në minutën e 74-t, kur mesfushori argjentinas, Alexis Mac Allister, u akuzua për një goditje me bërryl ndaj sulmuesit Ibrahim Maza, i cili mbeti i shtrirë në fushë pas kontaktit në fytyrë. Edhe në këtë rast, arbitri dhe sistemi VAR nuk ndërhynë.

Federata algjeriane e futbollit ka kërkuar nga FIFA shqyrtimin e këtyre vendimeve, duke pretenduar se arbitrazhi ka ndikuar në mënyrë të ndjeshme në rezultatin final të takimit të Grupit J.

Debati pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa incidenti ka shtuar tensionet rreth arbitrimit në turneun më të madh të futbollit botëror.