Frikë në Kansas City, tifozë argjentinas të përfshirë në të shtëna, plagoset një shofer Uber-i

Në Kansas City është regjistruar një ngjarje e rëndë me armë zjarri, në orët para ndeshjes së Botërorit 2026 mes Argentinës dhe Algjerisë, e cila përfundoi me fitoren 3–0 të “Albicelestes”.

Sipas autoriteteve amerikane, disa tifozë argjentinas që po udhëtonin drejt stadiumit “Arrowhead” u gjendën në mes të një incidenti me të shtëna, i cili ka shkaktuar panik dhe një operacion të gjerë policor në zonë.

Ngjarja ndodhi kur grupi po udhëtonte me një automjet Uber drejt stadiumit, kur një tjetër makinë iu afrua dhe hapi zjarr dy herë, përpara se të largohej me shpejtësi të madhe. Fatmirësisht, tifozët nuk u plagosën, por shoferi i mjetit u qëllua në këmbë dhe u dërgua menjëherë në spital.

Një nga tifozët ka treguar se fillimisht nuk e kishte kuptuar seriozitetin e situatës, derisa shoferi ndaloi papritur dhe u pa plaga nga arma e zjarrit.

Policia amerikane ka nisur menjëherë hetimet dhe ka konfirmuar se në të njëjtën zonë janë raportuar disa incidente të ngjashme brenda një periudhe të shkurtër kohe. Sipas autoriteteve, bilanci i përgjithshëm i ngjarjeve është një viktimë dhe katër të plagosur.

Hetuesit kanë identifikuar si të dyshuar kryesor një person me emrin Oscar Sanchez-Munoz, ndërsa kanë bërë të ditur se ngjarja dyshohet të jetë e lidhur me çështje kriminaliteti lokal dhe jo me Botërorin apo tifozët në mënyrë direkte.

Ngjarja ka shtuar shqetësimet e sigurisë në prag të ndeshjeve të turneut, duke vënë në alarm autoritetet lokale në Kansas City.