Gërvalla: Koha për dialog serioz, të hiqet dorë nga mentaliteti bllokues

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se është koha që subjektet politike në Kosovë të ulen dhe të zhvillojnë një dialog serioz për të ardhmen institucionale të vendit, duke theksuar nevojën për t’u larguar nga “mentaliteti bllokues” dhe nga praktikat që çojnë në zgjedhje të panevojshme.

Ajo tha se edhe në të kaluarën janë bërë përpjekje për zgjidhje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe parti të tjera, veçanërisht për çështjen e presidentit, por sipas saj, këto procese shpesh kanë përfunduar me zgjedhje që nuk kanë sjellë ndryshime të mëdha politike.

“Edhe të kaluarën jemi përpjekur edhe me LDK-në dhe me të tjerët ta zgjidhim çështjen e presidentit. Kemi pasur zgjedhje tërësisht të panevojshme, për të cilat u dit që në fillim se nuk kanë për të sjellë ndonjë ndryshim të madh në përbërjen e kuvendit të ardhshëm”, ka deklaruar Gërvalla.

Sipas saj, është momenti që klasa politike të reflektojë dhe të vendosë interesin e qytetarëve mbi kalkulimet partiake, duke theksuar se qytetarët e Kosovës e kanë dhënë tashmë mesazhin e tyre përmes votës.

“Për besë, është koha që me u ul e me diskutu seriozisht dhe me hequr dorë nga mentaliteti bllokues. Qytetari e ka thënë fjalën e vet, për herë të tretë e ka thënë qartë. Fituesi i këtyre zgjedhjeve po shihet,” tha ajo, duke shtuar se aktualisht po pritet vetëm certifikimi i rezultateve zgjedhore.

Gërvalla theksoi se hapat e ardhshëm politikë do të përcaktohen fillimisht brenda koalicionit qeverisës, e më pas do të pasojnë konsultime edhe me partitë opozitare, me synim gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët institucionale.

“Se cilët do të jenë hapat që do të ndjekim, atë do të ulemi së pari brenda koalicionit dhe do t’i diskutojmë, dhe pastaj do të ulemi të diskutojmë edhe me partitë opozitare dhe do të jemi përsëri të përkushtuar dhe të angazhuar që të gjejmë mënyra për t’i qartësuar,” ka thënë ajo.

Ajo shtoi se procesi i negociatave politike duhet të bazohet në vullnet të mirë dhe në gatishmëri për kompromis, duke theksuar se diskutimet e para duhet të zhvillohen drejtpërdrejt mes palëve politike, e jo përmes mediave.

“Zgjidhja apo jo, njeriu kur hyn në negociata hyn me vullnetin për të gjetur zgjidhje… ne jemi të interesuar të diskutojmë me partnerët tanë potencialë pa diskutuar paraprakisht me mediat. Rendi e kërkon që me u diskutu me njerëzit direkt,” u shpreh Gërvalla.

Në këtë kontekst, ajo kritikoi edhe qasjen e opozitës, duke thënë se vendosja e kushteve paraprake nuk ndihmon në nisjen e dialogut politik.

“Shikoni, opozita do të bënte mirë të mos vendoste kushte, sepse vendosja e kushteve është parakusht shumë i keq për fillim negociatash. Mendoj që qytetari i Republikës së Kosovës është ai që vendos,” theksoi ajo.

Gërvalla shtoi se politikanët duhet të tregojnë përgjegjësi më të madhe në këtë fazë, duke u fokusuar në zgjidhje konkrete institucionale dhe jo në përplasje politike.

“Si politikanë të përgjegjshëm të vendit tonë, duhet të ulemi dhe të diskutojmë se cilat janë rrugët më të mira dhe më pas natyrisht që do ta informojmë edhe publikun,” tha ajo.

Duke folur për çështjet energjetike dhe bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë, Gërvalla tha se Qeveria është duke diskutuar për tema të ndryshme të sigurisë, përfshirë edhe çështjen e gazit amerikan.

“Ne kemi diskutime jo vetëm rreth gazit, por edhe rreth shumë temave të sigurisë me të gjithë aleatët tanë, jo vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” tha Gërvalla, duke shtuar se Kosova gjatë pesë viteve të fundit ka marrë vendime të bazuara në interesin shtetëror dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë./ RTK.