'Qeveria po dezinformon për protestat e raportet' Tabaku: Rama sulmon gazetarët për t'iu ushtruar presion

Deputetja Jorida Tabaku në një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit ngriti shqetësimin për dezinformimin e prodhuar nga qeveria për protestën por dhe raportet paralele që kryeministri vendos të publikojë.

Eshtë shumë e rëndësishme sot që ne së pari të luftojmë dezinformimin që vjen nga qeveria, dezinformimi me çdo lloj lajmi i cili sot kontrollohet nga qeveria” tha ajo në një deklaratë për median nga Kuvendi. Tabaku theksoi se sulmi ndaj medias, ndihmojnë për të përforcuar sot një sistem i cili ka humbur balancat dhe kontrollin dhe po kthehet në një sistem autoritar.

Deklarata e Tabakut

Kjo vjen me një rënie të treguesit social, një rënie të treguesit politik që vjen nga ndikimi politik për median, por njëkohësisht dhe rënie të treguesit ligjor.

Treguesi ekonomik thotë që ka një mungesë të madhe të transparencës nga varësia nga reklama shtetërore, lidhjet ndërmjet interesave ekonomikë dhe politikë, ndërkohë që treguesi i sigurisë shpreh shqetësime përsa i përket kërcënimeve serioze, sidomos nga krimi i organizuar dhe intimidimi verbal dhe politik. Këto janë faktorët kryesorë që kanë bërë të mundur rënien e indeksit të lirisë së medias në Shqipëri.

 Kjo, shoqëruar njëkohësisht dhe me lidhjen e interesave ekonomike me pronësinë e medias, e bën të pamundur që media sot në Shqipëri të jetë e lirë.

Ashtu siç u diskutua këtu, rasti i Neës 24, rasti i sulmeve ndaj gazetares Klodiana Lala, Isa Myzyraj, Ambrozia Meta dhe shumë raste të tjera, tregojnë që sot qeveria, kryeministri përdor anatemimin, sulmin ndaj gazetarëve për të ushtruar presion ndaj tyre.

 Dhe sigurisht që është e rëndësishme për të kuptuar që raporti i prezantuar nga qeveria dhe nga kryeministri nuk tregon që qasja e më shumë zërave opozitarë sjell më shumë transparencë në media, por tregon vetëm faktin që sot ka një sërë mediash të cilët kohën televizive e shfrytëzojnë duke kritikuar dhe opozitën, por kjo nuk llogaritet në minutazh kohe si kohë televizive për opozitën. Ka një lidhje shumë të rëndësishme ndërmjet lirisë së medias dhe demokracisë.

Dhe në tre nivele konkrete dua ta theksoj këtë. Së pari, llogaridhënia, që fatkeqësisht nuk po ekziston. Nuk është se gazetaria hetimore sot lihet e qetë dhe sulmet e fundit ndaj shkrimeve investigative këtë e tregojnë. Abuzimet me fondet publike, nepotizmi, korrupsioni në shpesh raste mbeten të pazbuluara.

 Së dyti, elementi më i rëndësishëm që ne po diskutojmë është pluralizmi, një hapësirë mediatike e shëndetshme që i garanton qytetarët që të kenë disa alternativa të ndryshme për t'u informuar, dhe së treti besimi institucional, shoqëria me median e lirë të regjistrojë nivele besimi, që fatkeqësisht dhe kjo nuk ekziston. Dhe çfarë duhet bërë në këtë kontekst?

Në këtë kontekst ajo që është e rëndësishme është që së pari të kemi një pavarësi editoriale në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Së dyti, një pavarësi institucionale, jo vetëm në RTSH por dhe në rastin e AMA-s.

Në raportimin që AMA pati këtu në parlament, u bë publike për të gjithë që në asnjë nga rastet kur ka pasur presion mbi gazetarët AMA nuk ka reaguar. Në rastin e News 24 nuk ka reaguar. Ka një varësi të theksuar të vendimeve të cilat kanë karakter politik.

Dhe së treti qeveria fatkeqësisht ka qendërzuar gjithë informacionin me Agjencinë e re që ato kanë krijuar për kontrollin e informacionit. Dhe unë dua ta mbyll dhe e gjej të domosdoshme që të them dy gjëra. Liria e medias nuk mbrohet nga gazetarët. Liria e medias nuk mbrohet as nga shoqëria civile. Liria e medias mbrohet sigurisht nga institucionet, mbrohet nga ato që heshtin, liria e medias mbrohet nga e gjithë shoqëria.

 Prandaj është shumë e rëndësishme sot që ne së pari të luftojmë dezinformimin që vjen nga qeveria. Dezinformimi me protestën, dezinformimi me raportet paralele që kryeministri vendos të publikojë, dezinformimi me çdo lloj lajmi i cili sot kontrollohet nga qeveria.

 Së dyti, të sigurojmë një kuadër ligjor dhe unë në emër të opozitës atje kam ofruar mbështetjen maksimale për ndryshime të cilët lidhen me Kodin Penal që fatkeqësisht u refuzuan nga qeveria dhe u bënë të pjesshme.

 Së dyti mbrojtje reale ligjore ndaj gazetarëve kundër padive abuzive që njihen si paditë SLAPP. Dhe së treti përsa i përket mbështetjes për të gjitha ndryshimet ligjore që të ketë pavarësi qoftë në emërimet rregullator tek AMA dhe tek Radio Televizioni Shqiptar.

Këto nuk janë as opinionet e mia, nuk janë as mendimet e mia, as mendimet e opozitës, po vijnë nga raporte, nga analiza, të cilat Reporterët pa Kufij për vite me radhë kanë kryer në Shqipëri.

Sulmi ndaj medias, intimidimi, bullizimi, anatemimi, nuk e ndihmojnë qeverinë që të mbulojë as abuzimin as korrupsionin, dhe sigurisht ndihmojnë për të përforcuar sot një sistem i cili ka humbur balancat dhe kontrollin dhe po kthehet në një sistem autoritar.