Municioni luftarak/ Banorja: Shkela mbi njërin prej tyre, s’e dija çfarë ishin, më pas i largova
Një 65-vjeçare nga zona e Hidrovorit në Vlorë, ka treguar se si e ka gjetur municionin luftarak në zonën e Pyllit të Sodës.
Elizabeta Shehaj shprehet armët dhe granatat e dyshuara, i ka hasur në anë të rrugës teksa po kthehej për në shtëpi.
Ajo tregon se ka qenë duke kaluar në zonë, kur ka shkelur mbi njërën prej tyre, e cila fatmirësisht nuk ka shpërthyer.
Shehaj thotë se objektet ndodheshin në pjesën anësore të rrugës. Fillimisht nuk e kishte kuptuar se çfarë ishin, por pasi ka parë më me kujdes dhe ka kuptuar rrezikun, është gjendur e pasigurt se si duhej të vepronte.
‘Po vija nga puna, kalova rrugën e pashë një kallash të mbledhur me një peshqir dhe e mora e hodha te kanali. Nuk dija, se janë gjera të papara. Gjeta dhe nja tre bomba, tek ato më vajti syri. Rastësisht kalova, i tregova djalit për ca bomba. Unë i spostova poshtë. Bëra gabim që i spostova’, u shpreh 65-vjeçarja.