Dy fjalë për mburravecin deputet
Nga Grigels Muçollari
Një mburravec deputet që ka refuzuar të dëgjojë prej 20 ditësh thirrjen dhe mesazhin e protestuesve e pa mbrëmë nga afër se kush janë pozitat dhe kreditet e tij në publik, teksa provokoi duke u futur mes turmës. U desh pastaj ndërhyrja e policisë para se mburraveci deputet i Edi Ramës të merrte dhe një leksion fizik.
Është për t’u dënuar akti i deputetit, i cili, me duar në xhepa, me imunitet në supe dhe me arrogancën tipike rilindase, parakaloi mes atyre që janë ngritur kundër korrupsionit dhe shpërfilljes, kundër fyerjes e poshtërimit që kjo mazhorancë bën prej 13 vitesh.
Të njëjtën shpërfillje e poshtërim tentoi dje ta bënte deputeti mburravec, jo më përmes ekranit të përnatshëm, por në mes të qytetarëve të revoltuar.
Incidenti me Bidon tregon nivelin e zemërimit të qytetarëve me qeverinë e tyre. Të njëjtin “dajak” do ta merrte çdo deputet socialist, çdo ministër. Zoti e dhëntë që këtë provokim të mos e bëjë ndonjë ditë Edi Rama, se kushedi ç’do na shihnin sytë.
Urrejtjes 13-vjeçare i është shtuar edhe injorimi 20-ditor që i është bërë lëvizjes më të madhe në dekada. Të rinjtë janë fyer, janë anatemuar, janë damkosur, janë sulmuar si armiq të Shqipërisë.
Mburraveci deputet mori atë çfarë Edi Rama, me shërbëtorët si ai, ka mbjellë në 13 vite.
Nuk është trimëri ajo e Bidos, përkundrazi. Kurajo është të bësh atë që bëri zonja Koçeku, që foli me akte të forta dhe po përballet edhe me kërcënime bandash.