A është Aruba një samit Mafioz?
A ngjan takimi i Arubës me tre samite historike të krimit të organizuar; i pari mbajtur në Havana në Hotel Nacional de Cuba në 22 Dhjetor 1946, i dyti në Palero Grand Hotel et des Palmes në datat 12-16 Tetor 1957 dhe i treti në Apalachin në 14 Nëntor 1957?
Për të gjithë ata të cilët nuk e dinë çfarë është një samit po e shpjegojmë me pak fjalë. Takime të organizuara në nivele të larta në të cilat do të vëndosen ortakëritë, strategjitë dhe fitimet të paktën për një dekadë. Por më e rëndësishmja e një samiti është garancia, përgjegjësia dhe si do zgjidhen konfliktë në rast se ndodhin, të cilat në botën kriminale janë të pa shmangshme?
Në të tre takimet është diskutar trafiku i heroinës dhe mënyrat e investimeve në vende me “qeveri mike”. Ndërkohë në takimin e Palermos, përveç rrugëve të reja të trafikimit të heroines, u vendos edhe emri i organizatës dhe modeli i strukturës së saj, konkretisht “Cosa nostra” me strukturë piramidale dhe komision drejtues sipas modelit Amerikan. Sjellim në vëmendje se para vitit 1957 kjo organizatë njihej thjesht si “Onorata Societa” dhe nuk kishte një strukturë drejtuese dhe organizim piramidal.
A ka krijuar takimi i Arubës një sindikatë të mirëfilltë kriminale Shqiptare sipas modelit të sipërcituar?
Nëse prokuroria e antimafias Italiane dhe Belge ka kryer veprime proceduriale në bazë të njoftimeve, sinjalizimeve, diçka ka ndodhur.
Njohjet e personazheve pjesëmarrës me eksponentë të nivelit të lartë të Sacra Corona Unita-s dhe strehimin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, kryesisht Vlorë dhe Tiranë, na bën ta besojmë plotësisht këtë.
Përvoja kriminale që prej fillimit të viteve ‘90 dhe afërsia me shtetin fqinj dëshmojnë për një kopjim të strategjive dhe strukturave kriminale më të sofistikuara.
Ajo që vlen të përmëndet është se njësoj si në Havana ose Palermo edhe në Aruba u zgjodh një resort me pesë yje.
Mbase nuk do të thotë shumë, mbase të gjithë mafiozët të njëjtat shije kanë! Por qoftë në Havana ose Palermo samitet u ndoqën nga politikanë të cilët siguruan dhe mbarvatjen nga çdo shqetësim i forcave të rëndit në këmbim të mbështetjes politike në zgjedhje.
Në këmbim, për çdo marrëveshje kriminale mbi strukturat, strategjitë dhe fitimet, vlejnë siguritë dhe garancitë.
Kush e garantoi dhe siguroi qetësinë dhe vazhdimësinë e Arubës? Kjo mbetet për t’u zbuluar dhe provuar në ditët në vijim. Hetimet vazhdojnë….