‘Babai i Messit ka ndërruar jetë’, pushohet menjëherë nga puna gazetarja që dha lajmin e rremë
Luzu TV ka konfirmuar largimin e moderatores dhe aktores Florencia Peña nga stafi i saj, pas një incidenti të rëndë gjatë transmetimit të programit ‘El show del verano’, ku u përhap një lajm i rremë për familjen e Lionel Messi.
Gjatë emisionit, Peña deklaroi gabimisht se babai i futbollistit argjentinas, Jorge Messi, kishte ndërruar jetë. Lajmi u përhap me shpejtësi, duke shkaktuar shqetësim të madh në opinionin publik dhe në rrethin e ngushtë të ‘yllit’ të Argjentinës.
Pak minuta më vonë, familja e Messit reagoi zyrtarisht duke e mohuar informacionin, duke sqaruar se Jorge Messi ndodhet nën kujdes mjekësor dhe po shërohet në mënyrë të qëndrueshme.
Në një deklaratë publike, drejtuesi i Luzu TV, Nicolás Occhiato, u shpreh se ajo që ndodhi ishte e papranueshme për standardet e kanalit.
“Sjellja e informacionit të ndjeshëm pa verifikim paraprak është e papranueshme për ne”, thuhej në reagimin zyrtar të platformës, e cila konfirmoi gjithashtu se personat përgjegjës për transmetimin e lajmit janë larguar nga detyra.
Sipas komunikatës, edhe vetë Florencia Peña ka vendosur të largohet nga televizioni pas ngjarjes, duke marrë përgjegjësinë për deklaratat e saj në transmetim.
Pas incidentit, Peña doli para mediave në lot, duke kërkuar falje publike dhe duke sqaruar se informacioni i ishte transmetuar gjatë emisionit nga ekipi i produksionit, pa mundësi verifikimi nga ana e saj.
“U gjenda në një situatë të pazakontë. Më dhanë informacionin gjatë transmetimit dhe e përsërita ashtu siç ma thanë”, u shpreh ajo, duke shtuar se nuk kishte as telefon apo kompjuter për të verifikuar lajmin.
Ajo theksoi se nuk kishte pasur kurrë qëllim të dëmtonte askënd dhe kërkoi ndjesë të sinqertë familjes Messi, veçanërisht nënës së futbollistit, Celia Messi.
Ngjarja ka hapur sërish debat të gjerë mbi përgjegjësinë mediatike dhe verifikimin e informacionit në platformat e transmetimit të drejtpërdrejtë, veçanërisht kur bëhet fjalë për figura publike me ndikim global.