‘Trupi perfekt’ apo presion social? Nutricionistja Berisha: Rrjetet sociale po imponojnë standarde të rreme, të rrezikshme për të rinjtë
E ftuar sot në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Kafe Shqeto” ishte nutricionistja dhe dietologia klinike, Ardiana Berisha e cila u ndal në një diskutim mbi fenomenin e “trupit perfekt”.
Dietologia ngriti shqetësimin për presionin e vazhdueshëm social që vjen nga rrjetet sociale, sidomos në periudhën e verës, kur ekspozimi i trupit dhe krahasimet shtohen ndjeshëm.
Nutricionistja theksoi se standardet e krijuara si “perfeksioni trupor” janë shpesh të filtruara dhe të manipuluara, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë tek adoleshentët, grupmosha më e ndjeshme në formimin e identitetit dhe marrëdhënies me ushqimin dhe trupin.
Ardiana Berisha
Atëherë, trupi perfekt, realitet apo presion social? Kjo ishte edhe tema, ose pyetja që më bëre dhe jam shumë e lumtur që edhe këto tema të tjera debatohen sepse kanë nevojë për ndërgjegjësim dhe kanë nevojë për hapësirë që të flitet në këtë temë. Dhe pse pikërisht në verë? Në fakt, trupi perfekt dhe presioni social e kanë vetë përgjigjen pikërisht në këtë pyetje. Pra, na jepet një presion nga momenti që mendojmë ta kemi trupin perfekt. Dhe kjo është shumë shqetësuese sepse kush i jep këto standarde, çfarë, pse duhet të jemi perfektë? Dhe mjerisht preken po ashtu grupmoshat më të rrezikuara, që janë adoleshentët, që janë në fillim të identitetit të tyre, që janë duke mësuar marrëdhëniet me ushqimin e të tjera e të tjera. Dhe pse pikërisht në verë? Mundet ndoshta sepse, gjatë gjithë asaj kohe që jemi më pasivë, ndoshta kjo çfarë ndikimi ka rrjeti social: tregohen ose ekspozohen trupat perfektë, të quajtur perfektë, që janë shumë shpesh të filtruar, që janë me filtra, që janë të përpunuar. Dhe këtu nuk jemi edhe ne të pafajshëm. Qoftë bransha apo sektori i fitnesit apo edhe i nutricionistëve në rrjetet sociale. Sepse pikërisht para verës formohet ose jepet ai slogani që “formoje trupin brenda 30 ditëve, humb kaq kile”. Dhe kjo është tmerrësisht e gabuar, sepse trupi ynë nuk mund ta bëjë atë, të formohet për 30 ditë, pas atyre të ngrënave ose abuzimeve që i kemi bërë ndoshta me shumë vite. Pra, kjo temë me të vërtetë ka nevojë për më shumë debat edhe nga fusha të ndryshme, apo sigurisht edhe nga nutricionistët dhe trajnerët e fitnesit.