Materazzi tallet keq me Ibrahimoviçin: Po bëhet interisti më i madh në histori për atë që po i bën Milanit!
Ish-mbrojtësi i Interit, Marco Materazzi, ka lëshuar një deklaratë ironike ndaj rivalit të tij të vjetër, Zlatan Ibrahimović, duke përfituar nga momenti i vështirë që po kalon Milani.
Gjatë një interviste për ‘La Gazzetta dello Sport’, ish-futbollisti zikaltër foli për rivalitetin që kishte me Ibrahimoviçin në fushën e lojës, por nuk humbi rastin për ta ngacmuar suedezin, i cili aktualisht është këshilltar i pronarëve të klubit kuqezi.
“Për mua ishin vetëm gjëra që ndodhnin në fushë, por nuk mund t’i them asgjë, sepse ai është interisti më i madh në histori për atë që po bën”, deklaroi Materazzi me ironi.
Deklarata e tij vjen në një verë të komplikuar për Milanin, ku mes pasigurive dhe vështirësive në merkato, tifozët kuqezi po shprehin pakënaqësi për mënyrën se si po menaxhohet klubi. Pikërisht këtë situatë shfrytëzoi ish-kampioni i botës me Italinë për të thumbuar Ibrahimoviçin.
Marrëdhënia mes Materazzit dhe Ibrahimoviçit ka qenë gjithmonë e veçantë. Të dy kanë qenë bashkëlojtarë tek Interi, por edhe rivalë në periudha të ndryshme të karrierës së tyre, duke qenë protagonistë të shumë përballjeve të zjarrta në futbollin italian.
Komenti i Materazzit pritet të ndezë debatet mes tifozëve të dy skuadrave rivale, veçanërisht në një periudhë kur Milani po përballet me kritika të shumta për drejtimin sportiv dhe planet për sezonin e ardhshëm.