Ancelotti, para sfidës me Haitin: Brazili mund dhe duhet të luajë më mirë
Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka kërkuar një reagim të menjëhershëm nga skuadra e tij pas barazimit zhgënjyes ndaj Marokut në ndeshjen e parë të Botërorit 2026. Në prag të përballjes me Haitin, tekniku italian pranoi se Selecao duhet të përmirësohet ndjeshëm.
“Skuadra mundet dhe duhet të bëjë më mirë”, deklaroi Ancelotti në konferencën për shtyp, duke bërë të ditur se do të ketë disa ndryshime në formacionin titullar.
“Do të bëjmë disa ndryshime, ndoshta do të aktivizojmë ndonjë lojtar më të freskët. Duhet të përmirësohemi në aspektin e ekuilibrit dhe cilësisë së lojës. Duhet të gabojmë më pak në pasime. Kemi cilësinë e nevojshme për ta bërë këtë dhe për të zhvilluar një ndeshje të bukur”, u shpreh ai.
Trajneri italian theksoi se nuk ka problem të zbulojë formacionin para ndeshjes, por preferon t’ua komunikojë fillimisht futbollistëve të tij.
Duke u rikthyer te ndeshja ndaj Marokut, Ancelotti pranoi se paraqitja e skuadrës nuk ishte në nivelin e pritur.
“Ndeshja ndaj Marokut nuk shkoi mirë dhe kjo më bën të jem kritik ndaj skuadrës. Duhet të gjejmë një zgjidhje. Kemi punuar gjatë këtyre ditëve për të korrigjuar problemet dhe besoj se do t’ia dalim, sepse vazhdoj të kem besim se kjo skuadër do të jetë konkurruese në këtë Botëror”, tha ai.
Sipas trajnerit brazilian, ekipi duhet të përmirësojë shumë aspekte të lojës, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.
“Duhet të bëjmë mirë shumë gjëra: të mbrohemi si grup, të sulmojmë me cilësi, të shfrytëzojmë aftësitë individuale, të jemi agresivë në repartin ofensiv dhe të organizuar në fazën mbrojtëse”, theksoi Ancelotti.
Në fund, ai vlerësoi kundërshtarin e radhës, duke paralajmëruar se Haiti nuk duhet nënvlerësuar.
“Haiti është një skuadër shumë e ekuilibruar, me cilësi të mira fizike dhe organizim të qartë taktik. Ata luajnë futboll të mirë me karakteristikat që kanë. Duhet të respektojmë çdo kundërshtar, sepse ky është Botërori dhe të gjithë janë jashtëzakonisht të motivuar”, përfundoi Ancelotti.
Brazili do të kërkojë fitoren e parë në turne për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në fazën me eliminim direkt.