Skandali, Këlliçi: 'Banditët digjitalë' dhe ministri Hoxha terrorizojnë qytetarët dhe administratën para protestës

Denoncime të rënda janë bërë publike lidhur me një fushatë të gjerë shantazhi dhe intimidimi ndaj protestuesve dhe familjarëve të tyre. Të ashtuquajturit "patronazhistë" dhe "banditë digjitalë" po përdorin profile anonime në rrjetet sociale për të kërcënuar qytetarët, duke përfshirë theks të veçantë te pronarët e bizneseve. Deputetei Belind Këlliçi gjatë një interviste ne Syri tv ne emisionin “Kafe Shqeto” ka denoncuar një rast flagrant që përfshin një biznesmenë, e cila është kërcënuar indirekt me mesazhe të formës "ne e dimë ku banon dhe çfarë biznesi ke", vetëm për shkak të komenteve kritike të bëra në platforma si Instagram ndaj kryeministrit.

Skandali, megjithatë, duket se ka marrë përmasa të thella institucionale, duke përfshirë drejtpërdrejt nivelet e larta drejtuese. Sipas të dhënave të raportuara nga vetë punonjësit, drejtues të Ministrisë së Jashtme dyshohet se kanë kërcënuar personalisht stafin e këtij dikasteri. Mesazhi i përcjellë ka qenë një paralajmërim i qartë e i prerë: çdo punonjës apo familjar i tyre (përfshirë fëmijët apo të afërmit e tjerë) që merr pjesë në protesta, do të përballet me shkarkim të menjëhershëm nga puna. Ky veprim konsiderohet si një rreshtim i hapur i një institucioni thelbësor të shtetit si një "celulë partie".

Ky lloj presioni sipas Këlliçit, ngre pikëpyetje të forta mbi terrorin psikologjik që po ushtrohet aktualisht në të gjitha nivelet e administratës publike, bashkive dhe agjencive shtetërore. Megjithatë, kjo fushatë frikësimi duket se po gjeneron një efekt të kundërt bumerang. Në vend që të shuhet, revolta qytetare po rritet, duke kulmuar me thirrjen për një protestë të madhe kombëtare ditën e nesërme, më datë 20.

Belind Këlliçi: Na vijnë të dhëna për një shantazh të vazhdueshëm ndaj protestuesve, ndaj familjarëve të tyre, nga patronazhistët dhe nga banditët digjitalë. Pra, që janë të fshehur pas tastierave me profile anonime, që shkruajnë...

Greta Togani: Po, po, në masë.

Belind Këlliçi: …që kërcënojnë, që intimidojnë protestuesit, që i shkruajnë për bizneset që kanë, unë i kam bërë dhe publike, që i thonë "po vazhdove të komentosh"... Madje, skandali ka qenë që i shkruanin një gruaje biznesmene, i shkruanin që "ne të dimë ku jeton..."

"ne të dimë ku banon, ne e dimë çfarë biznesi ke, po ti nuk mund të kritikosh kryeministrin në faqen e vet". Pra, ti nuk mund të shkruash asnjë në Instagram kritikë, as pyetje, as ofendim, po kritikë. Nuk e shkruan se "ne të vijmë dhe të vendosim gjobë te biznesi".

Kulmin e ka arritur në fakt në këtë nivel Ferit Hoxha. I cili, bazuar në të dhënat që na vijnë nga Ministria e Jashtme, nga punonjësit e asaj ministrie, personalisht ai ka kërcënuar ekipin e Ministrisë së Jashtme, duke i thënë që "kam porosi nga i madhi, që nëse ju, rrethi juaj familjar, motër, vëlla, prindër, të afërm, kushërinj të parë e të tjerë, e të tjerë, apo fëmijët tuaj dalin në protestë, më mirë mos hajdeni fare të nesërmen në punë sepse jeni të shkarkuar". Dhe që të arrijë Ministria e Jashtme të kthehet në një celulë partie, të kthehet në një organizatë të Partisë Socialiste, këtë nuk e kishte bërë as edhe një ministër më përpara. Kemi pasur ne kritika shumë për ministrat e mëparshëm të jashtëm, kemi pasur kritika për ministra të tjerë, por që të arrinte një ministër i jashtëm në këtë nivel, kjo ishte e padëgjuar. Dhe kur kjo ka ndodhur në Ministrinë e Jashtme, imagjinoni ç'ndodh në institucionet e tjera, ç'ndodh nëpër bashki, në institucione shtetërore, në ministri të tjera, në agjenci shtetërore, në drejtori të tjera. Pra, është një presion dhe një terror që i ushtrohet të gjithë atyre që janë në administratë publike për të mos marrë pjesë në protestë dhe për t'u larguar nga kjo protestë. Në fakt po bëjnë të kundërtën. Po prodhojnë një efekt bumerang sepse ajo protestë, jo që nuk shuhet, por vjen shtohet. Janë më të vendosur qytetarët dhe kanë njoftuar, në mos gaboj dhe në datë 20, pra ditën e nesërme, një protestë kombëtare, po dhe me pjesëmarrjen e diasporës, ku ka shumë të dhëna publike që qytetarë të ndryshëm, shqiptarë të ndryshëm kryesisht nga Anglia, Italia, Greqia, Gjermania, janë nisur drejt Shqipërisë për të protestuar.