Festë e madhe për Meksikën në Los Anxhelos, mijëra tifozë pushtojnë rrugët pas kualifikimit në Botëror
Fitorja e Meksikës ndaj Koresë së Jugut në Botërorin 2026 solli festime të mëdha në rrugët e Los Anxhelosit. Skuadra meksikane siguroi kalimin në fazën me eliminim direkt, duke u bërë ekipi i parë që arrin këtë objektiv në turne, pas triumfit të rëndësishëm të së enjtes.
Menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare, mijëra tifozë dolën në rrugë për të festuar suksesin e përfaqësueses së tyre. Në pjesë të ndryshme të qytetit ishin organizuar aktivitete dhe vende të posaçme për ndjekjen e ndeshjes, ndërsa pas fitores atmosfera festive u zhvendos në rrugë.
Festimet kaluan kryesisht pa incidente serioze, megjithëse në disa momente tifozë u panë duke u ngjitur mbi automjete në lagjen Koreatown. Turma të mëdha u mblodhën edhe në zonën e Boyle Heights, ku policia qëndroi pranë për të monitoruar situatën.
Për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve, Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit shpalli një alarm taktik në të gjithë qytetin, masë që mban efektivët në detyrë edhe pas përfundimit të turnit të tyre. Një procedurë e tillë ishte përdorur më parë edhe gjatë festimeve për titujt e ekipit të bejsbollit Los Angeles Dodgers, si dhe në protesta dhe aktivitete të tjera masive.
Më vonë, policia u bëri thirrje qytetarëve të shpërndaheshin dhe krijoi kordone sigurie, por festimet vazhduan. Disa persona ndezën fishekzjarrë, ndërsa entuziazmi nuk u shua as pas ndërhyrjes së autoriteteve.
Tubime të ngjashme u zhvilluan edhe në zona të tjera të qarkut të Los Anxhelosit, përfshirë Huntington Park. Atje u krijua një grumbullim i madh automjetesh në rrugë dhe disa të rinj nisën të luanin futboll në mes të kryqëzimit, përpara se loja të ndërpritej nga një drejtues automjeti që kreu manovra të rrezikshme me makinën në qendër të rrugës.
Fitorja ndaj Koresë së Jugut ka rikthyer entuziazmin te tifozët e Meksikës, të cilët shpresojnë që skuadra e tyre të shkojë sa më larg në këtë Botëror, pas zhgënjimit të eliminimit në fazën e grupeve në edicionin e vitit 2022.