VIDEO/ Tronditet Kanadaja, dëmtim ‘horror’ për Koné në ndeshjen ndaj Katarit, lojtarët në lot

Kanadaja u përball me një moment të rëndë gjatë ndeshjes së Botërorit kundër Katarit, pasi mesfushori Ismaël Koné pësoi një dëmtim të frikshëm që tronditi lojtarët në fushë dhe tifozët në stadiumin e Vankuverit.

Futbollisti i Kanadasë dhe i klubit italian Sassuolo u rrëzua në tokë gjatë pjesës së dytë pas një përplasjeje me Madibon. Pamjet e incidentit ishin aq të rënda sa lojtarët e të dy skuadrave u mblodhën menjëherë rreth tij për ta mbrojtur nga shikimet e publikut, ndërsa në stadium ra një heshtje e plotë.

Shumë futbollistë u panë të tronditur dhe me lot në sy. Mes tyre ishte edhe sulmuesi i Juventus, Jonathan David, i cili nuk arriti ta fshihte shqetësimin për bashkëlojtarin e tij. Koné u largua nga fusha me barelë dhe më pas u transportua me urgjencë në spital me ambulancë.

Sipas raportimeve të para, ekziston frika se mesfushori ka pësuar një frakturë të rëndë në këmbë, një lajm që mund të ketë pasoja të mëdha për karrierën e tij, sidomos në një periudhë kur emri i tij përmendej shpesh në merkaton e transferimeve.

Ndërkohë, lojtari i Katarit që shkaktoi ndërhyrjen u ndëshkua me karton të kuq. Pas incidentit pati tensione mes futbollistëve dhe pankinave të dy skuadrave, me debate dhe përplasje verbale.

Pas rifillimit të lojës erdhi edhe një moment prekës. Bashkëlojtari i Koné, Saliba, shënoi gol dhe ia kushtoi atë mesfushorit të dëmtuar. Në festimin e tij, ai tregoi fanellën me numrin 8 të Kanadasë para tifozëve në stadium dhe miliona shikuesve në mbarë botën, në një gjest solidariteti për shokun e skuadrës.