Diaspora shqiptare protestë në Prato, kërkohet dorëheqja e Ramës: PE në krah të kauzave tona

Qindra shqiptarë të diasporës janë mbledhur në qytetin e Pratos në Itali, në një protestë ku kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protesta është zhvilluar në sheshet qendrore të qytetit, ku qytetarët janë shfaqur me pankarta dhe flamuj shqiptarë, duke shprehur pakënaqësi ndaj qeverisjes në Shqipëri.

Gjatë protestës janë dëgjuar thirrje të vazhdueshme “Rama jep dorëheqjen”, ndërsa pjesëmarrësit kanë deklaruar se diaspora do të vijojë të organizohet dhe të ngrejë zërin e saj për situatën politike dhe ekonomike në vend.

Sipas protestuesve, shqiptarët e diasporës kanë rikujtuar gjithashtu se Parlamenti Europian është shprehur në krah të tyre në mbrojtje të Vjosës dhe natyrës në Shqipëri, duke theksuar mbështetjen ndërkombëtare për kauzat mjedisore.

Ata kanë kërkuar gjithashtu largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij nga pushteti, duke e cilësuar këtë si domosdoshmëri për ndryshimin e situatës në vend.