'Vapa?...Jo, protesta', ja disa nga pankartat 'pikante' nga protesta e 19-të kundër qeverisë Rama

Gjatë protestës së 19-të të zhvilluar në Tiranë, përveç thirrjeve dhe fjalimeve, qytetarët u shfaqën edhe me një numër të madh pankartash me mesazhe drejtuar qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Qytetarët zgjodhën të shprehin pakënaqësitë e tyre përmes parullave që trajtonin tema të ndryshme, nga korrupsioni dhe pronat publike deri te pensionet dhe mbrojtja e natyrës. Mes pankartave që tërhoqën vëmendjen ishte ajo me mbishkrimin: “Gjysherit meritojnë të pleqërojnë me dinjitet. Ku ka vjedhje s’ka pensione”.

Mes pankartave të tjera u panë edhe mesazhe me tone të ndryshme e të ndërthurura, përfshirë: “Cka t’u themi burrave të namit që e lanë me gjak çdo shkrep e gur, në burrëri na mbeti vatani duke e poshtëruar shqiptarin në flamur”.

Një tjetër pankartë përmbante shkrime të stilit simbolik dhe emocional si: “Mirëmbrëma, mirëmbrëma s’po më zinte gjumi… as mua… vapa? jo jo… protesta dukej që përgjigjej Rama”.

Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit paralajmëruan se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke përsëritur sloganin: “Nesër më shumë!”.