'Rama kryemafiozi', Nesho: SPAK mbron pushtetin, dosja 'Aruba' provon kapjen e drejtësisë

I ftuar në “Çim Peka LIVE”, ish-ambasadori Agim Nesho akuzoi ashpër qeverisjen aktuale dhe institucionet e drejtësisë, duke deklaruar se në Shqipëri po funksionon një sistem i kapur që favorizon krimin e organizuar dhe godet në mënyrë selektive.

Nesho u shpreh se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi Edi Ramën, të cilin e cilësoi si drejtues të një sistemi që ka lejuar pastrimin e parave dhe lidhjen e politikës me strukturat kriminale. Ai tha se kjo nuk është një dukuri e izoluar, por një skemë e ndërtuar që synon kontrollin e shtetit dhe deformimin e institucioneve.

Duke folur për Prokurorinë e Posaçme (SPAK), Nesho kritikoi ashpër mënyrën e funksionimit të saj, duke pretenduar se institucioni po kufizohet në goditjen e niveleve të ulëta të krimit, ndërsa shmang hetimet ndaj figurave të larta të pushtetit dhe aferave të mëdha korruptive.

Në këtë kontekst, ai iu referua edhe çështjes së njohur si “dosja Aruba”, si dhe rasteve të tjera të përmendura publikisht më herët, duke i cilësuar si shembuj që, sipas tij, tregojnë mungesë veprimi ndaj skandaleve që prekin nivelet e larta të politikës.

Sipas Neshos, kjo qasje po rrit mosbesimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe po dëshmon, siç u shpreh ai, nevojën për hetime që shkojnë deri në “thelbin e sistemit”, e jo vetëm te figurat periferike të krimit.

Pjesë nga deklarata:

Çështja është që në studion tuaj, jo vetëm, por edhe gazetarët investigativë, këto gjëra i kanë thënë shumë kohë përpara. Pra, pika e parë që them është: ky është një monstër dhe fajin duhet ta shohim te sistemi që ka krijuar Edi Rama, i cili, edhe sikur të ishte shefi i mafies botërore, nuk mund t’i bënte një dëm të tillë vendit siç i ka bërë Edi Rama ose organizata e tij.

Domethënë, ky është një monstër i cili, me ndërgjegje të plotë, ka çuar jo vetëm në pastrimin e parave sepse prandaj them që po e relativizon këtë gjë nuk është çështje e liberalizimit të ekonomisë dhe futjes së parave të pista. Këtu është një projekt antikombëtar për ta kthyer Shqipërinë në një narkoshtet. Kemi luftuar për këtë gjë, por jo gjithmonë kemi parë që institucionet të kenë luftuar njëkohësisht për këtë gjë. Edhe këtu e kam për SPAK-un.

SPAK-u tani, nga dita në ditë, nuk matet as me njëzet arrestime, as me njëqind e pesëdhjetë milionë që ka marrë nga krimi i organizuar, por duhet të fokusohet në ato elemente që kanë dalë shumë më përpara. U tha këtu afera e Agaçit me gjeneralin. Ky është një skandal, sepse është njeriu… kur themi Agaçi, themi hijen e kryeministrit. E ka marrë që nga Italia, një avokat i cili dihej për ato punë që bënte dhe, megjithëse ishte kaq i specializuar, në Shqipëri nuk kishte avokatë të tjerë, që duhej ta merrte direkt sekretar të përgjithshëm. Kjo e para.

E dyta, takime të tilla, si përmasat e Arubës, tregojnë që ka një plan dhe strategji kombëtare për ta kthyer vendin në një narkoshtet. Domethënë, nuk janë çështje të rastësishme. Nuk është çështje që i bëri nder një miku për një licencë 300 milionë dollarë, ku ka institucione të tjera që duhet ta japin, por këtu është një strategji e cila kërkon ta kthejë Shqipërinë në një platformë që jo vetëm nuk mund të futet në Bashkimin Evropian, por që t’i shërbejë vetëm krimit të organizuar dhe kryemafiozit që është Edi Rama.

Prandaj mendoj që SPAK-u duhet të ecë shumë përpara. Ne sot jemi në një kohë vërtet shumë interesante, ku rinia dhe qytetaria janë ngritur sepse nuk e durojnë më këtë regjim. Mendoj që ajo që duhet të bëjë në këto momente SPAK-u është të mos merret me ata që denoncojnë, si gazetarët që denoncojnë krimin dhe flasin për faktet, por të merret me thelbin e problemeve. Dhe kjo është vija e kuqe që tregon nëse SPAK-u do të mbijetojë në këtë situatë apo do të jetë pjesë e një tranzicioni që do të mbyllet në Shqipëri.