‘Emri i zyrtarit në Aruba del shumë shpejt nëse bie Rama’, Qyno: Informacionet kanë ardhur nga...
Gazetari Enton Qyno i ftuar në ‘Çim Peka Live’, ka bërë publike detaje të tjera, lidhur me qarkullimin e parasë së zezë në ekonomi, duke zbuluar një zinxhir që nis nga fushatat elektorale e deri tek ashtuquajturit investitorë strategjikë.
Qyno bëri me dije se gjatë zgjedhjeve parlamentare në Vlorë është aplikuar blerja e votës masive, ku votuesit paguheshin me nga 100 euro cash, të cilat më pas i thyenin drejtpërdrejt në pikat e këmbimit valuator.
Ky fluks i pazakontë parash, theksoi gazetari kap shifra alarmante prej afro 12 miliardë eurosh të konvertuara brenda një viti në një vend me pak më shumë se 1 milion votues, çka ngre pikëpyetje të mëdha sipas tij, mbi thellësinë e krimit elektoral.
Qyno foli edhe për çështjen Aruba, që sipas tij nëse del shpejt emri i zyrtarit që ka marrë pjesë në takimin me bandat kriminale në ishull, atëherë Rama do të rrëzohet nga pushteti.
Sipas Qynos, bandat kanë marrë garanci nga qeveria shqiptare që paratë e drogës t’i ‘shkrinin’ në ekonomi legale, jo vetëm në ndërtim por tashmë edhe në sektorin energjetik.
Në qoftë se jemi këtu tek kjo pjesa e exchange-ve, më kujtohet kur kam qenë një herë në Vlorë në pjesën e zgjedhjeve parlamentare dhe... vajta votova, më dhanë nja 100 euro dhe shkova dhe i theva. Dhe me këtë trajtën e kësaj, fillova të pyesja dhe në exchange-at. Edhe një a dy exchange-at që shkova më thanë sa kemi thyer një 100 e 200 euro sot s'kemi thyer ndonjëherë. Sepse njerëzit sa i merrnin dhe vinin i thyenin. Po paguanin ndonjë borxh. Dhe kjo më ka bërë shumë përshtypje atë ditë, sepse sa i merrnin nga shtabi elektoral i subjektit politik, direkt vinin dhe votonin dhe më pas vinin dhe e thyenin në exchange.
Po tani, shqiptari është çik mosbesues në këtë pjesë dhe patjetër që i kanë marrë masat. Kemi të bëjmë me një situatë hetimi që nuk është parë ndonjëherë deri më sot sepse ka hyrë një trajtë e re verifikimi dhe hetimi siç është Sky. Pa Sky-t, të paktën prokuroria e posaçme do të ishte larg këtyre imazheve hetimore dhe identifikimit të personave. Ka thënë disa emra atje në atë datë në janar 2021-të të takuar Osmani, Morina, Mehmeti, Pëllumbi, Ismaili... e të tjerë. Po këta të tjerët tash s'ka detyrimin prokuroria e posaçme ta marrë atë Sky-n dhe ta sjellë në formën reale siç është shkruajtur atje, qoftë dhe procesverbalin e vëzhgimit të autoriteteve spanjolle qoftë dhe belge.
Pra, këtu ka një standard të dyfishtë që atë që duam e nxjerrim, atë që s'duam nuk e nxjerrim. Aty ku duhet dhe ka interes publik vërtet real dhe madhor, se kush është ky zyrtari i qeverisë, qoftë koordinator i qeverisë në këtë takim, nuk del. Atëherë... më mirë mos e bëje fare mos e thoje, sepse kaq sa e kanë nxjerrë SPAK-u e kemi pasur edhe nga mediat belge edhe nga ai gazetari italian që botoi dhe librin. Prandaj që sot jemi në kushtet që SPAK-u ka detyrimin publik dhe detyrimin kushtetues si institucion... të nxjerrë emrin dhe t'i thotë shqiptarëve: ky është emri dhe ka këtë përgjegjësi në këtë takim apo nuk ka asnjë përgjegjësi, ka qenë rastësisht, e ka thirrur një miku i tij apo x-i apo y-i. Dhe në kushtet ku jemi sot, sigurisht që do të dalë emri, por do të dalë shumë vonë. Do të dalë mbase nga mandati i i pestë i Ramës, nëse do të rrijë Rama... Ose do të dalë shumë shpejt nëse Rama do të bjerë.
Do dalë emri shumë shpejt nëse Rama bie, sepse edhe si çështje kjo, po ta vësh re, është ngritur mbi bazën e informacioneve që kanë ardhur nga Spanja, Belgjika, Italia, ka bërë një qepje ish-drejtuesi i prokurorisë së posaçme duke marrë dhe dëshminë e një bashkëpunëtori të drejtësisë, që është një bashkëpunëtor drejtësie që të paktën ka deponuar në të paktën shtatë apo tetë procedime penale, mandej dhe te çështja jonë me kolegun Artan Hoxha e kemi dëshmitar. Dhe është një çështje që është ngritur me një material shumë voluminoz për t'u ngritur dhe u mbajt gjashtë vjet dhe ndërkohë nga ana tjetër u bë shumë shpejt.
Çështja se si u fut nga ana e SPAK-ut... sepse u regjistrua më 2020-ën, ndërkohë që është bërë gati pesë vjet... pesë vjet e gjysmë është bërë dhe është finalizuar ky operacion me 20 masa sigurimi, arrest me burg dhe arrest shtëpie... Pse u bë pikërisht në momentin kur... vetë Edi Ramës filloi t'i shtohej presioni pikërisht përmes protestave, protestave të opozitës, protestave të popullit, presionit ndërkombëtar, presionin e mediave greke dhe të diplomacisë greke sepse ajo pjesë ka rënë tani, por në fillim ka qenë shumë, shumë trysni e madhe. Dhe u përdor pastaj më pas SPAK-u si një valvul shkarkimi që: shiko se këtu ka dhe drejtësi, po hyn drejtësia dhe po e sheshon mirë këtë pjesën e pronësisë të Zvërnecit edhe gjithë allishverishet që janë bërë.
Dhe prandaj të thashë që u morën dosjet siç kanë ardhur, u arnuan, u mor një bashkëpunëtor drejtësie për të mbështetur edhe Sky-n edhe të gjithë pjesën e pastrimit, dhe më pas erdhën në këtë situatë që u prodhua një çështje, dhe më tej për të bllokuar edhe investimin... për të bllokuar edhe pronën, por për të bllokuar edhe transaksionet edhe gjithë pasuritë e tjera që SPAK-u ka bërë njoftimin. Në fillim, 128 milionë euro tek pjesa e llogarisë të noteres, në fillim fare janë bllokuar nga Drejtoria e Pastrimit të Parave, sepse anëtarët kanë detyrimin ligjor që të deklarojnë kontratat noteriale dhe pastrimi i parave është një drejtori që varet direkt nga Kryeministri Rama. Dhe Rama, të jesh i bindur, ka pasur informacionin në kohë reale dhe dinamike se çfarë po ndodhte pikërisht me shitjet e pronave në Zvërnec në kuadër të këtij projekti që ai kishte miratuar me lejen e zhvillimit.
Dhe më pas, Drejtoria e Pastrimit të Parave ka informuar SPAK-un dhe më tej pastaj SPAK-u ka bërë sekuestrimet e mëdha. Që një ditë më pas del edhe Rama dhe thotë: 'Shiko, s'ke punë ti, i thotë SPAK-ut, të hetosh dhe të sekuestrosh kompaninë dhe llogarinë e kompanisë. Po shiko origjinën e pronës, se kush janë këta që kanë përfituar pronën'. Dhe nga ana tjetër pronarëve që janë në përplasje me familjen Shehaj u thotë që 'nëse ju e keni pronën, lekët e sekuestruara në llogari do t'jua japim juve'. Pra ka një vals, si të thuash, një vals mes SPAK-ut dhe Ramës në këtë rast. Aruba është takimi që është vendosur strategjia e ardhshme se si duhet të shkrihen paratë e drogës. Pra, u mor dhe një përfaqësues i qeverisë që të merreshe garancia nëse do të jepeshin dhe do të miratoheshin lejet, sepse ti para mund të kesh por nëse qeveria nuk të miraton lejet e zhvillimit, sheshet e ndërtimit, atëherë është e kotë që t'i sjellësh këtu dhe të investosh sepse do të kosh gjithmonë pengesë.
Pasi u mor "ok" pikërisht nga përfaqësuesi i qeverisë dhe më pas u garantua që këto para do të vinin dhe në Shqipëri, sigurisht që duheshin edhe njerëz që zotëronin prona të mëdha në Shqipëri. Dhe kush ishin këta njerëz? Ishte Artur Shehu që zotëron një pjesë të madhe të pronave në bregdetin e jugut... Ishte Elton Mehmeti që kishte një pjesë toke tek prapa stadiumit Air Albania, që më pas u shpronësua por qëllimi ishte që të bëhej edhe atje një kompleks kullash. Dhe ishin disa persona të tjerë, nipat e miqtë e Xhikës, se dhe ata kanë një sërë pronash në kryeqytet. Dhe në këto kushte, për të krijuar mundësinë e shesheve të ndërtimit, lejeve të ndërtimit dhe për t'i krijuar edhe mundësinë që këto sheshe t'i rivitalizojnë përmes parave të drogës, pikërisht u zhvilluan disa takime në Aruba, në Belgjikë, në Itali, me qëllimin e vetëm: sigurimin e lejeve të ndërtimit që këto para më pas të vinin dhe në Shqipëri dhe të shkriheshin në sektorin e ndërtimit.
Tani tha që turizmi dhe sektori i ndërtimit janë dy dëshirat më të mëdha të ndërtimit. Por që në fakt unë kam konstatuar gjatë kësaj kohe që emra të këtij niveli kanë hyrë shumë fort edhe në ndërtimin e parqeve të energjitikës, kryesisht në fotovoltaikë dhe në ndërtimin e HEC-eve të vegjël, TEC-eve të vegjël. Dhe kjo ka ndodhur në Korçë shumë, kjo ka ndodhur në zonat e veriut, kjo ka ndodhur në zonat bregdetare, kryesisht në bregdetin e Semanit ku janë ndërtuar shumë parqe fotovoltaike pikërisht nga njerëz prestanomë por që në fakt fshihen emra të dyshimtë dhe që kanë lidhje direkte me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.