Johann Wadephul: Uniteti i Evropës është vendimtar
Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephulu ka kushtuar edhe para marrjes së kësaj detyre shumë rëndësi marrëdhënieve transatlantike dhe, në këtë kontekst, e kthente shpesh vështrimin edhe nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Ai konsiderohet brenda qeverisë gjermane si dikush për të cilin mbështetja ndaj Ukrainës përbën një shqetësim i veçantë. Me Poloninë atë e lidhin gjithashtu disa elemente. Ai i ka rrënjët nga zona rreth Bydgoszcz-it (Brombergut). Me ministrin e Jashtëm polak Radoslaw Sikorski ai ka një marrëdhënie të ngushtë dhe miqësore.
Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes gjermano-polake për mbrojtjen, DW bisedoi me Wadephul për këto tema.
Lidhur me marrëdhëniet transatlantike, ministri i Jashtëm tha se ato "nuk janë më aq të thjeshta si më parë”. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara mbeten partner. Por ajo që e shqetëson atë më së shumti është uniteti i Evropës, i cili duhet ruajtur dhe që sipas Wadephul-it ka "rëndësi vendimtare”.
Diplomaci "pa iluzione”
Marrëveshja gjermano-polake për mbrojtjen thekson detyrimet e ndërsjella për mbështetje brenda NATO-s. Wadephul-i tha drejtpërdrejtë: "Ne nuk do të hezitojmë asnjë sekondë. Nëse territori i NATO-s sulmohet, dhe në fund të fundit këtu bëhet fjalë vetëm për Rusinë, atëherë ushtaret dhe ushtarët gjermanë do të mbrojnë menjëherë çdo centimetër.”
Për Wadephul-in në qendër të politikës evropiane të sigurisë është aktualisht mbështetja për Ukrainën. Në zyrën e tij nuk ka rastësisht edhe një flamur ukrainas. "Ne duhet ta mbështesim Ukrainën së bashku”, thotë ministri i Jashtëm.
Edhe për agresorin, Rusinë, Wadephul-i flet në mënyrë të tejet të qartë. Pyetjes nëse presidenti rus Vladimir Putin ka fuqi më të madhe për të vazhduar, ai iu përgjigj prerë: "Në asnjë mënyrë. Ne do ta kemi fuqinë për të vazhduar gjithmonë më të madhe.” Lufta agresive ruse ka ndryshuar gjëra themelore. "Iluzionet e fundit për një mirëkuptim të mundshëm me Rusinë janë shkatërruar nga kjo luftë.”
Wadephul-i tha më tej se i nuk përjashton përpjekjet diplomatike, por theksoi se ato duhet të zhvillohen "pa iluzione”. Për një kohë të parashikueshme, siguria e Evropës do të mund të organizohet vetëm kundër Rusisë, theksoi ai.
Polonia ka një rol kyç në këtë drejtim. Kritikat e herëpashershme nga Varshava, se koordinimet e rëndësishme europiane, si formati E3 për mbështetjen e Ukrainës, bëhen pa një përfshirje të mjaftueshme të Polonisë, ai i konsideron të kuptueshme. "Ne nuk do të mund ta mbështesnim Ukrainën pa Poloninë. Formati E3 nuk do të vendosë as edhe një presje pa pëlqimin e Polonisë.”
Përgjegjësia historike e Gjermanisë
Në përgjithësi, marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Polonisë janë mjaft më të mira sesa mendohet shpesh. "Ne jemi të barabartë”, thekson Wadephul. Madje, Polonia ka një peshë të konsiderueshme për Gjermaninë dhe Evropën.
Njëkohësisht Wadephul-i theksoi edhe përgjegjësinë historike të Gjermanisë ndaj Polonisë. Sepse: "Gjermanët kanë shumë faj.” Ringjalljen e herëpashershme të ndjenjave antigjerme në Poloni, ministri i Jashtëm e sheh me keqardhje. "Kjo më rëndon”, tha Wadephul-i. "Por le ta ndërtojmë së bashku të ardhmen evropiane”, është apeli i tij. Gjithashtu ai u shpreh qartë në favor të dëmshpërblimit të viktimave të krimeve gjermane gjatë pushtimit në Luftën e Dytë Botërore, që janë ende në jetë.
Për të ardhmen e marrëdhënieve gjermano-polake Wadephul-i dëshiron mbi të gjitha një gjë: normalitet. "Sinqerisht, një normalitet të mërzitshëm. Nëse arrijmë aty, atëherë gjithçka është në rregull”, thotë ai./ DW/