Emigrantja shqiptare shpërthen në lot: Po na vjedhin shtëpinë, rinia të ngrihet

Një moment emocional ka shënuar protestën qytetare, ku një emigrante shqiptare prej vitesh në diasporë i është drejtuar të pranishmëve me një fjalim të mbushur me emocione dhe thirrje për reagim.

Ajo tregoi se, ndonëse jeton jashtë Shqipërisë që prej vitit 1990 dhe ka ndërtuar jetën e saj në Itali dhe Francë, dëshira e saj mbetet rikthimi në atdhe. Gjatë fjalës së saj, ajo ngriti shqetësimin për shpopullimin dhe largimin e të rinjve nga vendi, duke i bërë thirrje qytetarëve të reagojnë për të ardhmen e vendit dhe sakrificat e prindërve.

Emigrantja u ndal edhe te roli i diasporës, duke theksuar se shqiptarët kudo, nga Franca në Itali, mbeten të lidhur me vendin e origjinës dhe të bashkuar në shqetësimin për të ardhmen e Shqipërisë.

Pjesë nga deklarata:

Mirëmbrëma, rini! Jeni shumë të bukur! Nga Franca, nga Nica ju përshëndes të gjithëve! Ju adhuroj. Bëni diçka, o njerëz, për këtë Shqipëri! Po qaj… unë kam ikur që nga ’90-ta dhe dua të kthehem në shtëpinë time! Të lutem… pse të na e vjedhin shtëpinë?! Unë nuk mundem më! Të gjithë po ikin nga Shqipëria… kam jetuar në Itali, jam në Francë, por si vendi ynë nuk ka!

Unë jam nënë e një djali… për të gjithë ata që kanë vdekur, për të gjithë ata prindër që nuk jetojnë më… Popull, çohuni për nënat tona! Për baballarët tanë! Çohuni të gjithë!

Jeni të bukur! Ju dua shumë dhe ju përshëndes. Gjithë Nica është me ju! Gjithë Franca është me ju, Parisi, Italia! Të gjithë shqiptarët kudo… Jeni rinia më e bukur në botë! Ç’na duhet Evropa kur ne jemi Evropa vetë?! Hajde shqiptarë! Jeni yje, prandaj ju kërkojnë në Evropë. Ndriçoni për vendin tuaj! Ju dua shumë dhe ju përshëndes nga gjithë zemra.