Qytetari: Shqipëria po zbrazet, të rinjtë po ikin, ndërsa qeveria thotë se gjithçka është mirë
Një qytetar që mori fjalën në protestën e zhvilluar përpara Kryeministrisë, ku prej 19 ditësh kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ngriti shqetësime për emigracionin, varfërinë dhe braktisjen e vendit nga të rinjtë.
Në fjalën e tij, ai akuzoi qeverinë se po paraqet një realitet të rremë për zhvillimin ekonomik, ndërsa sipas tij familjet shqiptare po përballen çdo ditë me vështirësi për të siguruar jetesën dhe për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre.
Qytetari: Të gjithë së bashku kemi arritur shumë gjëra. Kemi hequr gardhet në çdo cep të Shqipërisë. Nuk ka më gardhe, populli po ngrihet! Na kanë ngelur vetëm kalbësirat në parlament për t'i hequr. Të dashur shqiptarë, para se të flasim për Zvërnecin, për Sazanin, le të flasim për Shqipërinë e vërtetë. Për Shqipërinë ku të rinjtë punojnë gjithë ditën dhe prapë nuk blejnë dot një shtëpi. Për të rinjtë, ku një çift i ri nuk guxon të bëjë fëmijë se nuk ia del dot deri në fund të muajit. Le të flasim për nënat dhe baballarët tanë, që numërojnë ato qindarka të pensionit dhe nuk u del as për ilaçe. Për nënat dhe baballarët tanë që presin një telefonatë nga fëmijët, nga nipërit, nga mbesat, t'i mbajnë në telefon nga jashtë se u qan syri për ta. Le të flasim për Shqipërinë ku shkollat anë e mbanë vendit po mbyllen. Ku fshatrat nuk ekzistojnë më. U shkretuan, po mbyllen! Ky është realiteti jonë. Realiteti i një Shqipërie që dita-ditës po zbrazet. Dhe nga kush po zëvendësohet? Po zëvendësohet nga të ardhur, nga Azia, nga çdo vend tjetër i botës. Dhe ne, shumë shpejt do jemi minoritet në vendin tonë. Por qeveria na thotë që jemi mirë. Që këtu është fushë me lule. Që turizmi është rritur. Që 4 miliardë euro po vërshojnë andej, nja dy po vërshojnë në Durrës, nja 10 në vend tjetër. Ku janë këto lekë? Ku janë? Babai im merr 100 mijë lekë pension. Si do t'ia dali? Si do t'ia dalin të rinjtë? Në një vend ku malet ulen dhe kullat ngrihen. Në një vend ku njerëzit shuhen, ikin, largohen. Këta të rinj nuk largohen sepse nuk e duan Shqipërinë. Por largohen sepse Shqipëria e sotme nuk i lejon që të jetojnë me dinjitet. Dhe ndërsa ne luftojmë për bukën e gojës, këta mendojnë si të na vjedhin. Si të na marrin tokat, si të na marrin shtëpitë. Si të na largojnë fëmijët. Ndaj ne sot nuk mbrojmë Sazanin, nuk po mbrojmë Zvërnecin. Ne sot mbrojmë të ardhmen e fëmijëve tanë për mos të qenë të huaj në vendin e tyre. Po mbrojmë të drejtën e shqiptarëve për të qenë zotër në shtëpinë e tyre. Dhe kur ne kërkojmë përgjigje, të gjithë heshtin. Ky president hesht. Ku është? Ky është presidenti i të gjithë shqiptarëve? Hesht, është zhdukur. Në drejtim të paditur. Por sot flet ky shesh. Flet zemra e kombit shqiptar. Flasin këta të rinj.
Këta kanë harruar një gjë, që shqiptarët nuk dorëzohen! Dhe shqiptarëve u ka ardhur maja e hundës me këta! Nuk ka kullë që zëvendëson një familje. Nuk ka koncesion që zëvendëson një fëmijë që largohet. Nuk ka investim që vlen sa një vatër e ndezur në shtëpitë tona. Ata kanë pushtetin, po ne kemi Shqipërinë! Ndaj sot ngrini flamujt sa më lart t'i shikojnë! Dhe të betohemi përpara njëri-tjetrit që nuk do ta lëmë Shqipërinë të zbrazet dhe ta vjedhin këta maskarenj. Rroftë Shqipëria!