Arrestohen në Francë dhe Belgjikë trafikantë shqiptarë, përdornin një skemë të mirëorganizuar

Autoritetet franceze dhe belge kanë bashkëpunuar për të goditur një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës. Gjatë 25 kontrolleve të zhvilluara në të dy vendet, u sekuestrua një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike dhe pasurish të dyshuara si të lidhura me aktivitetin kriminal.

Më 10 qershor, një operacion i gjerë i xhandarmërisë franceze, i kryer nga Seksioni i Kërkimeve të Rennes, grupi i Finistère dhe Grupi Ndërministror i Kërkimeve (GIR) i Rennes, çoi në zhvillimin e rreth një duzine kontrollesh në rajonin e Bretanjës.

Operacioni përfundoi me arrestimin e katër shtetasve shqiptarë, të moshave 21, 30, 30 dhe 32 vjeç, të cilët ndodheshin rregullisht në Francë dhe dyshohen se ishin pjesë e një rrjeti të madh trafiku droge mes Francës dhe Belgjikës.

Ata u vunë nën hetim nga Juridiksioni Ndërrajonal i Specializuar (JIRS) në Rennes dhe u lanë në paraburgim, bëri të ditur prokurori i Republikës, Frédéric Teillet.

Një ditë më vonë, më 11 qershor, autoritetet belge zhvilluan 14 kontrolle të tjera, duke arrestuar pesë persona të dyshuar, tre prej të cilëve me shtetësi shqiptare.

Sipas hetimeve, të zhvilluara prej disa muajsh, u zbulua ekzistenca e një organizate kriminale shqiptare që organizonte transportin rrugor të drogës nga Belgjika drejt Francës.

‘Grupi, i strukturuar dhe i organizuar, përdorte një apartament në Belgjikë që mund të konsiderohej një laborator i vërtetë, ku lëndët narkotike pranoheshin, përpunoheshin dhe paketoheshin përpara se të hidheshin në treg’, deklaroi prokurori Teillet.

Transporti i drogës realizohej me automjete të pajisura me vende të fshehta të sofistikuara, të ndërtuara posaçërisht për të shmangur zbulimin nga autoritetet.

Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan:

13 kilogramë kokainë;

26 kilogramë produkte kimike të përdorura për përzierjen dhe shtimin e sasisë së drogës;

bidonë me aceton dhe amoniak;

pajisje për përgatitjen dhe paketimin e narkotikëve;

një presë për kokainë me logo të ndryshme.

Gjithashtu u sekuestruan dy armë zjarri të tipit pistoletë dhe një armë gjahu.

Prokuroria bëri të ditur se janë sekuestruar edhe 19 automjete, disa prej tyre me vlerë të lartë, si dhe bizhuteri, me një vlerë totale të vlerësuar në afro 400 mijë euro.

Autoritetet gjetën më shumë se 90 mijë euro cash, ndërsa 37 mijë euro të tjera u bllokuan në llogari bankare. Në Belgjikë, hetimi çoi gjithashtu në ngrirjen e 38 llogarive bankare.

Sipas autoriteteve gjyqësore, bashkëpunimi mes shërbimeve policore belge dhe franceze ishte vendimtar për suksesin e operacionit dhe çmontimin e këtij rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës.

‘Ky rast tregon edhe një herë përmasat e rrjeteve kriminale që veprojnë në nivel europian dhe nevojën për bashkëpunim të ngushtë mes shteteve në luftën kundër krimit të organizuar’, deklaroi prokurori Frédéric Teillet.

Në operacion morën pjesë katër struktura kryesore: Policia Gjyqësore Federale e Hal-Vilvorde në Belgjikë, Seksioni i Kërkimeve të Rennes, grupi i xhandarmërisë së Finistère dhe Grupi Ndërministror i Kërkimeve të Rennes.