VIDEO/ Tomorri: Shqipëria u kthye në lavatriçe industriale të parave të pista, kjo nuk bëhet pa bekimin e qeverisë

Gazetari Klodian Tomorri deklaroi në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në Syri TV se dosjet e fundit të publikuara nga SPAK po nxjerrin në pah atë që prej vitesh ishte e dukshme për publikun: pastrimin e parave në shkallë industriale në Shqipëri.

Sipas tij, është e pamundur që një fenomen i tillë të ketë ndodhur pa miratimin dhe përfshirjen e niveleve më të larta të qeverisë. Duke komentuar rolin e SPAK-ut, Tomorri tha se nuk beson që Prokuroria e Posaçme do të arrijë ndonjëherë deri te kryeministri Edi Rama për sa kohë ai ndodhet në pushtet.

Tomorri theksoi se dosjet e fundit provojnë se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, por për një mekanizëm të organizuar pastrimi parash që ka depërtuar në të gjithë ekonominë. Sipas tij, orientimi i ekonomisë shqiptare drejt sektorit të ndërtimit nuk ishte rastësi, por pasojë direkte e hyrjes masive të parave kriminale në treg.

‘Shiko, për t’iu rikthyer debatit për SPAK-un, nëse duhet të godasë apo jo ‘kokën e së keqes’, unë e kam thënë edhe herë të tjera se nuk mendoj që SPAK-u do të shkojë ndonjëherë te zoti Rama, për sa kohë ai do të jetë në atë karrige. Kjo do të verifikohet me kohën. Deri më tani nuk ka guxuar dhe nuk besoj se do të guxojë.

Ajo që ka ndodhur dhe që po shohim sot, ne e dinim prej kohësh. Shihnim kullat që ngriheshin, resortet që ndërtoheshin, kompanitë që dilnin nga hiçi dhe më pas shndërroheshin në kompani që merrnin leje për të ndërtuar resorte gjigante. Por e gjithë kjo nuk mund të ndodhte pa bekimin e autoriteteve më të larta shtetërore. Është e pamundur të pastrohen para në atë shkallë pa dakordësinë dhe mpleksjen e qeverisë.

Dosjet e fundit u tregojnë qytetarëve, të paktën atyre që duan ta shohin të vërtetën në sy, se në Shqipëri ka ndodhur pastrim parash në shkallë industriale. Nuk ka qenë një fenomen i izoluar, ku një kompani apo një individ ka pastruar disa para përmes një objekti të vogël apo një pallati. Ka qenë një proces i organizuar në shkallë industriale dhe, në këtë nivel, nuk mund të realizohet pa mpleksjen e qeverisë.

Sigurisht që ata e bënë ndërtimin sektorin kryesor të ekonomisë. Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në momentin që hap portat për paranë e pistë, ndërtimi bëhet automatikisht sektori kyç, sepse grupet kriminale nuk ndërtojnë fabrika, universitete apo kompani teknologjie dhe dijeje. Ata ndërtojnë kulla, hotele, resorte dhe kazino.

Kjo ishte ekonomia e Shqipërisë duke filluar nga vitet 2019–2020. Tani që kemi të gjitha pjesët e pazzëllit, shohim se gjithçka përkon me periudhën kur zhvilloheshin ato samitet e famshme.

Duhet t’i japim meritë SPAK-ut që po godet paranë kriminale. Këtë e kam thënë dhe e përsëris. Edhe pse nuk besoj se do të arrijë deri në nivelet më të larta politike, kjo mbetet një punë e dobishme.

Problemi është se, kur lejon paranë kriminale të vërshojë në ekonomi, ajo ndot gjithçka. Ndot edhe pjesën e ndershme të biznesit, edhe segmentet e shëndosha të shoqërisë. Dosjet tregojnë se ka biznese që nuk janë marrë drejtpërdrejt me trafikun, por që janë përfshirë në transaksione me këta individë. Tani të gjithë këta janë të cenueshëm, si përballë drejtësisë, ashtu edhe ndaj shantazheve. Ky është një tjetër dëm i madh që është shkaktuar.

Kemi pasur të bëjmë me një operacion të menduar që në fillim, i cili ka pasur si garant qeverinë dhe që u godit vetëm sepse u kërkua nga jashtë. Përgjimet që gjenden në dosje kanë ardhur nga prokuroria belge. Autoritetet në Belgjikë, Spanjë dhe Itali u alarmuan kur panë aktivitetin e grupeve kriminale shqiptare dhe kuptuan mekanizmin përmes të cilit paratë e trafikut investoheshin lirisht në ekonominë shqiptare, nën mbrojtjen e autoriteteve të larta shtetërore.

Kryeministri ndodhet në një pozitë të vështirë. Prandaj përdor retorikën që kemi parë edhe në CNN, ku arrin deri në pikën t’u shpjegojë gazetarëve standardet e gazetarisë. Ai përpiqet ta përqendrojë debatin te investitorët e projektit të Zvërnecit.

Ndërkohë, problemi është shumë më i madh se Zvërneci. Kjo situatë shfaqet pothuajse në çdo projekt. Dikush duhet t’i bëjë kryeministrit një pyetje të thjeshtë: Si është e mundur që janë firmosur leje për kompani të tilla? Si është firmosur leja për kompaninë që u godit dje në Elbasan dhe që doli nga hiçi? Dhe sa leje të tjera të ngjashme janë dhënë?

Minimalisht, këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje’, u shpreh gazetari Klodian Tomorri në SYRI TV.