Mamaja drejtuese e QSUT i jepte të birit tendera/ Arbër Teqja 8 mln euro pagesa nga shteti për mbetjet...

Syri vijon hulumtimin e të dhënave për Arbër Teqja, i cili fshihet pas një rrjeti kompanish që kanë përfituar miliona euro tendera për largimin e mbetjeve spitalore dhe lavanderitë në disa spitale në vend. Skandali thellohet dhe më tej, pasi Arbër Teqja, i cili deri pak kohë më parë ishte pronar i kompanisë ECO Riciklim, ka pëfituar miliona euro nga Qendra Spitalore Nënë Tereza, ku nëndrejtoreshë punonte nëna e tij, Arjana Strakosha, tezja e Amanat Josifit.

Nga viti 2020 deri më sot, kompania ECO Riciklim e Arbër Teqja, ka përfituar miliona euro tendera nga spitalet publike. Sipas të dhënave të thesarit, kompania e Arbër Teqja ka marrë mbi 8 milionë euro pagesa nga buxheti i shtetit për vitet 2019-2026.

Të dhënat tregojnë gjithashtu, se vetëm nga institucionet shëndetësore, kompania e ECO Riciklim e Arbër Teqja, ka marrë të paktën 82 tendera. Këto tendera janë dhënë kryesisht nga QSUT, ku mamaja e Arbër Teqja ka qenë nëndrejtoreshë e Spitalit, por edhe spitale të tjera rajonale në vend. Arbër Teqja ka vijuar i pashqetësuar aktivitetin, duke marrë tendera nga institucionet shëndetësore.

Syri sjell në vijim një numër të madh tenderash që janë fituar nga kompania e Arbër Teqjas.

1-            Në muajin prill 2026, Eco Ricikilm merr tenderin me objekt: Trajtim dhe asgjesim i mbetjeve spitalore në Spitalin Rajonal Gjirokastër. Vlera e tenderit rreth 110 mijë euro.

2-            Në 6 prill, ECO Riciklim fiton tenderin me objekt: Mbledhja, transporti dhe asgjesimi i mbetjeve spitalore (Instituti i Mjeksisë Ligjore) me vlerë 16 mijë euro.

3-            Më 29 janar, ECO Riciklim fiton tenderin me objekt: Minikontrata 1: Shërbimi i Trajtimit dhe Asgjesimit të Mbetjeve Spitalore me vlerë 72 mijë euro.

4-            Më 30 shtator 2025 ECO Riciklim fiton tenderin me objekt: “Evadim i mbetjeve te rrezikshme spitalore, per nevoja te SRV – Mareveshje Kuader me nje operator ekonomik -ku te gjitha kushtet jane te percaktuara -me afat 4 vjecar ( 48 muaj). Vlera e tenderit 360 mijë euro.

5-            Më 11 gusht 2025 ECO Riciklim fiton tenderin me objekt: Transport dhe asgjesim i mbetjeve të rrezikshme Spitalore për Spitalin Rajonal Durrës - Marrëveshje Kuadër me nje operator ekonomik -- ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara - me afat 12 muaj me vlerë 82 mijë euro.

6-            Më 28 maj 2025, ECO Riciklim fiton tenderin me objekt: Evadim, transport dhe trajtim i mbetjeve të rrezikshme per 24 muaj, spitali “Ihsan Çabej” Lushnje me vlerë prokurimi 36 mijë euro.

7-            Më 27 maj 2025, ECO Riciklm fion tenderin me objekt: Shërbimi i eleminimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” Tiranë me vlerë 290 mijë euro.

Por qershia mbi tortë e këtyre tenderave, është ai me vlerë rreth 142 milion lekë, apo më shumë se 1.4 milionë euro, që kompania ECO Riciklim fitoi në 21 mars 2025 nga QSUT.

8-            QSUT, tender me objekt: Trajtim dhe asgjesim i mbetjeve spitalore të rrezikshme për 24 muaj me vleë 14.9 miion lekë apo rreth 1.4 milionë euro.

Tendera të tjerë, edhe më herët, janë ato të renditura më posht:

9-            Spitali Rajonal Elbasan objekti: “Grumbullim, trajtim, asgjesim i mbetjeve spitalore” , vlera 352 mijë euro, diferenca me ofertën më të ulët 85 mijë euro;

10-          Spitali Obsetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, objekti: “Evadim, trajtim dhe asgjesim i mbetjeve të rrezikshme spitalore”, vlera 79 mijë euro ose 96% e fondit limit, diferenca me ofertën më të ulët 14 mijë euro;

11-          Spitali Obsetrik Gjinekologjik “Koço Glozheni”, objekti: “Eleminim i mbetjeve të rrezikshme spitalore”, vlera 93 mijë euro;

12-          Instituti i mjekësisë ligjore, objekti: “Mbledhja, transporti, dhe asgjesimi i mbetjeve spitalore”, vlera e ofertës së vetme të paraqitur dhe shpallur fituese 15 mijë euro;

13-          . QSUT objekti: “Asgjesim i mbetjeve citostatike dhe citotoksike në QSUT, vlera 11.6 mijë euro.

Këto të dhëna tregojnë një tjetër nivel të korrupsionit të lartë, të prodhuar nga qeveria e Edi Ramës, ku fëmijët me kompani private marrin tendera nga prindërit drejtorë në institucione. Syri.net do të publikojë dhe në të ardhmen fakte që tregojnë një skemë të rëndë korruptive, ku edhe pse dosja gjendet në SPAK prej kohësh, prokuroria e posaçme ende nuk vepron.