I dashur ministër, ‘të fala topave’!
Nga Irena Beqiraj
I dashur ministër, ‘të fala topave’!
Ministri i Financave shkruan:
"Shqipëria është lider në rajon për rritjen dhe qëndrueshmërinë ekonomike dhe këtë s'e luan as topi".
Inflacioni më i ulët në rajon, 2.8% dhe rritja ekonomike 3.4%, sipas Ministrit të Financave e bën "SHQIPËRINË LIDER RAJONAL NË EKONOMI"!
Nuk di nëse ka mbetur ndonjë makroekonomist i hajrit në ministri (dikur ka pasur disa) t'i shpjegojë ministrit pak më shumë lidhjen midis rritjes ekonomike, rritjes së ofertës monetare, inflacionit, shpejtësisë së lëvizjes së parasë.
Ndërsa oferta monetare rritet 2.5 herë më shpejt se rritja ekonomike siç ndodh në Shqipëri, dhe inflacioni mbetet i ulët, kjo tregon një rënie të ndjeshme të shpejtësisë së parasë ose, ndryshe, tregon që likuiditeti i tepërt është i bllokuar në asete në vend që të qarkullojë në ekonominë reale.
Ndërsa inflacioni i ulët duket i qëndrueshëm, kjo situatë ekonomike krijon dobësi strukturore me kalimin e kohës pasi likuiditeti i tepërt e gjen rrugën e tij në tregjet e aseteve (pasurive të paluajtshme) në vend të mallrave të konsumit. Kjo shkakton inflacion, rritje të çmimeve të aseteve në vend të inflacionit tradicional, duke krijuar një ndjenjë të rreme stabiliteti në ekonominë reale.
Rreziqet reale të kësaj situate janë:
Krijimi i flluskave të aseteve: tregjet e banesave apo letrave me vlerë fryhen artificialisht duke krijuar rrezikun e një rënieje të menjëhershme të tregut.
Tendosja e sistemit bankar: Bankat grumbullojnë depozita masive, por kanë vështirësi të gjejnë huamarrës të besueshëm, duke i kompresuar kështu marzhet e tyre të interesit.
Goditje të mëvonshme të inflacionit: Nëse besimi i konsumatorit kthehet, shpejtësia e parasë do të rritet, duke shkaktuar inflacion të shpejtë, edhe pse të mëvonshëm.
Pra, mjafton të fusim në analizë rritjen e ofertës monetare dhe me plot gojën mund të themi:
I dashur Ministër, të fala topave.